Selmanaj thirrje të reagohet: Sa nuk është vonë, t’i këputen rrënjët kësaj mendësie totalitare

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit që kanë të bëjnë me vaksinat dhe presionin ndaj mediave nga qeveria Kurti në lidhje me raportimet për dështimin e kontratës me kompaninë Pfizer.

Lajme

17/04/2021 16:43

Me anë të një postimi në Facebook, Selmanaj e ka quajtur “mendësi totalitare” formën e veprimit të qeverisë së VV-së, shkruan lajmi.net.

Madje ai ka bërë thirrje që një dukuri e tillë të ndalohet, siç thotë ai “sa nuk është vonë”.

“Patriotë shqiptarë, qofshi prokurorë apo gjyqtarë, policë apo agjentë të AKI-së, politikanë apo funksionarë publik, gazetarë apo aktivistë të shoqërisë civile, mblidhni forcat dhe REFUZONI këtë mendësi”, ka shkruar Selmanaj.

Postimi i plotë i tij:

Ju kemi thënë me kohë!.

Mendësia totalitare nuk din ndryshe. Fillimisht ju lëshohen në qafe mediave dhe zërave kritikë, pastaj i kapin organet e ndjekjes dhe organet e drejtësisë dhe në fund ballafaqohen me një shoqëri pa imunitet dhe pa forcë reaguese.

Prandaj sa nuk është vonë, këtë mendësi duhet ndal dhe duhet këput rrënjët që në nismën e saj.

Ky vend dhe kjo shoqëri mendësinë totalitare e ka arkivuar si periudhën më të errët të historisë!

Patriotë shqiptarë, qofshi prokurorë apo gjyqtarë, policë apo agjentë të AKI-së, politikanë apo funksionarë publik, gazetarë apo aktivistë të shoqërisë civile, mblidhni forcat dhe REFUZONI këtë mendësi.

Kosova është vendi ynë i shtrenjtë!. /Lajmi.net/