Selimi: Muri në Mitrovicë rezultat i bisedimeve Kosovë-Serbi në Bruksel
Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi deklaroi gjatë një interviste në Skype për Ora News, se muri në Mitrovicë po ndërhohet me intensitet dhe duket se ndërtimi i tij është bërë gjatë diskutimeve në Bruksel
Lajme
Ai tha se qeveria e Kosovës është e paaftë të pengojë ndërtimin e tij.
Selimi: Në kohën kur popujt heqin kufij, në mes të Mitrovicës po ngrihet një mur betoni si në shekullin e kaluar. Në kohën kur proklamohej rivitalizimi i urës si pikë bashkimi, atëherë befas pamë një mur betoni që po ndërtohet. Atje po punohet me intensitet të lartë.
Palët negociatore në Bruksel kanë arritur marrëveshje sekrete dhe duket që edhe ky mur ka qenë një lloj marrëveshje. Por edhe nëse nuk ka qenë marrëveshje, ky është rezultat i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, bisedime që bien mbi barrë vetëm të Kosovës. Qeveria e Kosovës nuk ka mundur të heqë një bredh në Urën e Ibrit dhe ata proklamojnë se do të rrënojnë një mur betoni.
Por si e komenton lëvizja Vetëvendosjes deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa se nuk do të tregojnë muskujt me Serbinë?
Selimi: Ai në fakt nuk ka muskuj. Ai muskujt i shfaq vetëm kundër qytetarëve të vet. Ai tregon vetëm kundër Kosovës. Sot, kryeministri Mustafa dhe qeveria e tij i ngjan më shumë një qeverie kuinslinge kundrejt Serbisë se sa një qeverie të Kosovës.
BE është në dijeni dhe po ashtu ka qenë në dijeni edhe gjatë bisedimeve. Edhe opinioni është në dijeni. Duket që ky mur është arkitektuar në Bruksel dhe po realizohet afër lumit Ibër në Mitrovicë. Ata janë të koordinuar të bisedojnë në dëm të interesave të Kosovës.
Ata janë të koordinuar që qytetarët e Kosovës t’i mbajnë të dezinformuar. Qeveria e Kosovës dhe e Serbisë të jenë të koordinuar të realizojnë interesat e Serbisë në Kosovë.
Ne sa po e dorëzuam iniciativën për interpelancë kryeministrin e Kosovës. Qytetarët e Kosovës janë të shqetësuar për një lëvizje të tillë.
/Ora News/