Selimi: Grupi parlamentar “Gjashtë Plus” nuk mund të jetë precedent për LDK-AAK-Nisma

PDK e ka kontestuar pretendimin e grupit parlamentar LDK-AAK-Nisma të regjistrohet si më i madhi në Kuvend, për faktin se ata nuk ishin të certifikuar në KQZ. Ky grup të drejtën e tyre e bazon edhe te grupi parlamentar i legjislativit paraprak “Gjashtë Plus”, por zv.ministri i jashtëm Petrit Selimi thotë se ky grup nuk përbënë precedent. 

Lajme

19/07/2014 01:05

Deputetët e bllokut opozitar LDK-AAK-Nisma e kishin mbushur formularin e regjistrimit në Kuvend duke shkruar se i përkasin subjektit LDK-AAK-Nisma, duke krijuar kështu grupin më të madh parlamentar. Por kjo po kontestohet nga PDK, të cilët thonë se grupi më i madh parlamentar përcaktohet vetëm me koalicione parazgjedhore të certifikuara në KQZ.

Në anën tjetër LDK-AAK-Nisma, këmbëngul në të drejtën e tyre, duke u bazuar edhe praktika e legjislaturës së kaluar kur deputetët minoritar të “Gjashtë Plus” kishin bërë veprim të njëjtë i cili ishte cilësuar si legjitim.

Por zv.ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, thotë se ky rast nuk mund të merret si precedent, pasi sipas tij, ky grup parlamentar edhe pse ishte formuar ende pa u konstituuar Kuvendi, ishte legjitimuar vetëm pas zgjedhjes së kryesisë së re të Kuvendit. 

“Grupet parlamentare, asnjëri nuk pranohet pa u bërë kryesia e Kuvendit. As grupi “Gjashtë Plus” e as të tjerë. Ligjërisht jo”, ka thënë Selimi në një intervistë në Interaktiv në KTV.

“De facto ata e kanë deklaruar krijimin e “Gjashtë Plusit” por legalisht dhe ligjërisht, pasi formularët e plotësuar kanë marrë miratimin vetëm pas është zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit”.

“Kështu që ka ekzistuar “Gjashtë Plusi” konceptualisht, si një grup. Kanë pasur mundësi për të votuar, kanë qenë pjesë efektive e Kuvendit, mirëpo ligjërisht dhe legalisht formularët e saj kanë qenë vetëm pasi që është zgjedhur kryetari i atëhershëm i Kuvendit”. 

Selimi paralajmëron për një precedent të rrezikshëm nëse në këtë rast qeverinë arrin ta marrin partitë të cilat nuk i kanë fituar zgjedhjet. 

Ai thotë se kjo mund të përsëritet edhe në të ardhmen, ku sërish partia më përkrahjen më të madhe në popull të jetë jashtë qeverisë, dhe sipas tij atëherë cfarë kuptimi do të kishte demokracia. 

“A do të ketë mundësi që vendi i tretë i katër dh i pestë të bëhen bashkë. Dhe ndoshta minoritetet të krijojnë sistem puro-proporcional ku ndoshta ndonjëherë do të lejohen edhe parti ekstreme të krijojnë qeverinë”.

“Kryetari por edhe kryeministri duhet të zgjedhjet nga partia më e madhe që ka fituar zgjedhjet”. (lajmi.net)