Selektorit të Turqisë nuk ia mbush syrin Shqipëria: Nuk motivohemi shumë me fitoren ndaj tyre

Shqipëria do të nis rrugëtimin e saj në eliminatoret e kampionatit evropian 2020, kundër kombëtares së Turqisë.

Sport

18/03/2019 21:58

Ndeshja pritet me padurim nga kombëtarja ‘kuq e zi’, por duket se rëndësinë e njëjtë nuk do ta ketë edhe për turqit.

Më 22 mars, kombëtarja turke do të zbarkojë në ‘Loro Boriçi’, në Shkodër, për ndeshjen e parë, të cilët besojnë se do ta fitojnë, sipas fjalëve të trajnerit Senol Gunes.

“Jemi në fillimin e një shkalle dhe në Shqipëri duhet të bëjmë hapin e parë. Nuk duhet të mbetemi në të kaluarën dhe nuk mund të mburremi me sukseset që janë arritur. Ne duhet të jemi si Franca, e cila mendon se si do të mbrojë suksesin. Ndërsa Islandën nuk e njihnim. Kur unë kam qenë në kryer të kombëtares kemi bërë vetëm një miqësore dhe e kemi fituar 4-0” ka thënë ai për mediet turke, transmeton lajmi.net.

“Ndeshja me Shqipërinë do të jetë shumë e luftuar. E mira do të ishte që në ndeshjen e parë të fitonim. Është e rëndësishme që jemi më të mirë në letër se Shqipëria, por duhet ta tregojmë edhe në fushë këtë gjë. Nëse fitojmë dy ndeshjet e para dhe një prej atyre me Francën, mendoj se do të jemi para skuadrave të tjera” ka thënë në vazhdim Gunes.

“Do të ishte më e mira të nisnim direkt kundër Francës dhe jo kundër Shqipërisë dhe Moldavisë, kështu do ishim më të motivuar. Francën dhe Islandën i kemi si rival në letër, por në fund do të luajmë kundër të gjithëve. Duhet të nisim duke superuar Shqipërinë, pasi janë shënjestra jonë e parë dhe duhet ta nisim mbarë, edhe për psikologjinë” duke lënë të kuptohet se nuk e klasifikon Shqipërinë  tek kundërshtarët e fortë.

Mbetet të shihet se si do t’i përgjigjet kombëtarja ‘kuq e zi’ këtyre deklaratave. Më e mira përgjigje do të ishte nga fusha e blertë. /Lajmi.net/