Sektori privat kërcënon me grevë

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privatë ka protestuar para Komunës së Prishtinës, duke paralajmëruar se do të hynë në grevë, nëse deri në javën e ardhshme nuk bëhet nivelizimi i pagave të punëtorëve që paguhen prej saj.

Lajme

02/04/2014 12:33

Protestuesit kanë thënë se kërkesa e tyre kryesore është nivelizimi i pagave si për gjithë punëtorët dhe janë ankuar po ashtu se nuk e marrin të gjithë rrogën nga 170 euro, ashtu siç ishin marrë vesh kohë më parë me Kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Jusuf Azemi  përfaqësueses i Sindikatës  së Pavarur  të Sektorit Privat, ka thënë se ata janë mbledhur që ta njoftojnë kryetarin Shpend Ahmeti, se nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen nga jave e ardhshme do të hynë në grevë.

Ndërsa Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nevelizimi i pagave për këtë kategori të punëtorëve do të ndodh në shtator, ashtu siç janë pajtuar edhe më herët.

Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri ka thënë se që në muajin e parë të kësaj qeverisje janë takuar me përfaqësues të këtyre punëtorëve dhe janë pajtuar që nivelizimi i pagave të bëhet në muajin shtator.

“Me 28 janar ne jemi takuar dhe jemi marrë vesh që nivelizimi i pagave të bëhet deri në shtator të këtij viti. Pak ditë pas këtij takimi ne kemi obliguar kompanitë që këtyre punëtoreve t’ua japin 170 euro, sepse ato kompani e kanë shkelur Ligjin për paga te këtyre punëtorëve, duke  i paguar 150 euro në muaj”.

“Për me tepër punëtorëve u kanë ngelur borxh disa rroga, gjë për të cilën i kemi detyruar kompanitë që t’ua paguajnë ato dhe të mos ketë vonesa më shumë se deri datën 5 të muajit”.

“Të gjitha këto janë rregulluar, përpos nivelizimit të pagave, që do të bëhet deri në shtator të këtij viti, sipas marrëveshjes”, ka thënë Tahiri.