Sekretari i VV-së: Çdo vonesë për formimin e Qeverisë është mundësi e kthimit të PAN-it

Çdo vonesë në krijimin e qeverisë së re, është mundësi për rikthimin PAN-it në pushtet.

Lajme

18/01/2020 16:53

Ky është paralajmërimi që e dha sot përmes një postimi në Facebook, sekretari për marrëdhënie me jashtë i Vetëvendosjes, Kreshnik Ahmeti, shkruan lajmi.net.

Ai i referohet një lajmi të publikuar në media për takimin e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli me kryetarët e AKR-së, Nismës dhe AAK-së, por që i njëjti u demantua më vonë.

Postimi i plotë:

Për më shumë lexojeni postimin e plotë të Kreshnik Ahmetit:

Dy pole janë në skenën politike të Kosovës: Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe PAN-i.

Çdo vonesë që i bëhet formimit të Qeverisë së udhëhequr nga Lëvizja VETËVENDOSJE! është mundësi për kthimin e PAN-it në pushtet. Kjo u pa edhe nga lajmi i publikuar para pak momenteve, që partitë e PAN-it janë takuar për të synuar krijimin e një koalicioni. Ky lajm u largua nga publiku me shpejtësi nga portali që e publikoi.

Largimi i PAN-it është kushti i ndryshimit. Prandaj, ndryshimin e domosdoshëm nuk mund ta sjellë PAN-i e as bashkëpunimi me pjesëzat e tij. /Lajmi.net/