Sekretari i Brendshëm britanik jep urdhër për ekstradimin e Julian Assange

Sekretari i Brendshëm britanik, Sajid Javid pranoi se ka nënshkruar një urdhër ekstradimi në Shtetet e Bashkuara, për themeluesin e Wikileaks, Julian Assange.

Bota

13/06/2019 19:03

Gjithsesi Javid, tha për BBC se vendimi përfundimtar për ekstradimin e Assange, do të merret më 14 qershor, në një gjykatë britanike.

Assange, përballet me një aktakuzë me 18 pika nga Shtetet e Bashkuara, për publikim të informacionit të klasifikuar dhe komplot me ish-ushtaren amerikane, Chelsea Manning, për të ndërhyhë në kompjuterët e departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së.

Aktakuza, e lëshuar nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së në maj, është ngritur në bazë të Aktit të Spiunazhit.

47-vjeçari u dëbua më 11 prill nga ambasada ekuadoriane në Londër, ku ishte strehuar që nga viti 2012, pasi fitoi azil politik nga Ekuadori. Ai u arrestua nga policia britanike, dhe aktualisht po vuan dënimin prej 50 javësh, për shkeljen e lirimit me kusht./Opinion.al