Sekretari amerikan: SHBA-ja e Kina janë në garë për armë hipersonike

Sekretari amerikan i Forcave Ajrore, Frank Kendall, ka thënë se Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë përfshirë në një garë armësh për t’i zhvilluar armët më vdekjeprurëse hipersonike në kohën kur Pekini e Uashingtoni po ndërtojnë e po testojnë gjithnjë më shumë armë të gjeneratës së ardhshme.

Bota

01/12/2021 09:06

“Ekziston një garë armësh, jo domosdo për rritje të shifrave, por për rritje të cilësisë. Është një garë armësh që është duke u zhvilluar për goxha ca kohë. Kinezët kanë qenë shumë agresivë në këtë”, tha zyrtari i lartë amerikan për agjencinë “Reuters”, përcjell Gazeta Express.

Në tetor, komandanti i ushtrisë amerikane, Gjeneral Mark Milley, konfirmoi një test hipersonik nga Kina, për të cilin ekspertët ushtarakë thonë se duket se e shfaq krijimin e një sistemi orbitues rreth Tokës nga Pekini, të dizajnuar për t’i shmangur sistemet mbrojtëse raketore amerikane.

Armët hipersonike fluturojnë në pjesën e sipërme të atmosferës me shpejtësi mbi pesëfish më të madhe se shpejtësia e zërit ose rreth 6.200 kilometra në orë.

Kentall vuri në pah se ushtria amerikane i ka përqendruar fondet në Irak e Afganistan dhe nuk e ka pasur vëmendjen e duhur në aspektin e armëve hipersonike. “Kjo nuk do të thotë se nuk kemi bërë asgjë, por nuk kemi bërë mjaftueshëm”, tha ai.

Sekretari amerikan shpreson që të shtohen fondet me largimin e sistemeve më të vjetra e të shtrenjta për t’u mirëmbajtur në favor të sistemeve të reja, përfshirë programet për zhvillimin e armëve hipersonike.