Sejdiu: Zgjedhjet në LDK momenti për t’i kthyer identitetin e partisë

Kryetari i nderit të LDK-së, Fatmir Sejdiu, ka thënë se zgjedhjet e brendshme në këtë parti, janë momenti i veçantë kur kjo parti duhet ka kthejë identitetin e saj. 

Lajme

10/01/2015 18:26

Ai ka thënë se kjo do të bëhet nëse ka një proces të drejtë ku respektohet vullneti real i anëtarësisë.

Ish- kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu, pas marrjes së vendimit nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, për mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme , ka thënë se ky është një moment i veçantë që LDK, që ti kthehet identitetit të vet. 

Sejdiu në një postim në Facebook, ka shkruar se vetëm vota e dalë nga vullneti i anëtarësisë së LDK-së mund të bëjë ndryshime në parti. 

Komenti i plotë i Fatmir Sejdiut: 

Pas kapërcimit prej disa muajsh të afatit të rregulllt të shpalljes së zgjedhjeve në LDK, dje më në fund Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së me legjitimitet të cenuar mori vendim për shpalljen e zgjedhjeve brenda partiake.

Kësaj radhe nuk do të hyj në analizë të veprimeve jashtë-statutare të deritanishme të lidershipit të LDK-së, veprime këto që janë të njohura për anëtarësinë dhe opinionin e gjerë, por dua të them se ky është një moment i veçantë kur Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të bëjë punë për së mbari për t’u kthyer në identitetin e vet.

E kam veçuar tash e sa vite se vetëm vota e dalë nga vullneti real i anëtarësisë së LDK-së, mbështetur në parimin “një anëtar- një votë”, si sistem që e kanë aplikuar partitë me demokraci të brendshme të zhvilluar, mund të bëjë ndryshimet e nevojshme që LDK-ja në përputhje me vullnetin e anëtarësisë të transformohet e modernizohet, duke u mbështetur në traditën e saj burimore, në filozofinë e saj reale dhe në trashëgiminë e vizionit të njeriut të madh, Presidentit Historik Dr.Ibrahim Rugova. Por, lidershipi i tashëm i LDK-së nuk ka treguar vullnet që të implementojë këtë sistem zgjedhor të brendshëm që aplikohet prej dekadash si një proces më demokratik në partitë anëtare të EPP.

Në rrethanat kur procesi zgjedhor brenda LDK-së tashmë është shpallur, unë dua të ritheksoj se ky proces duhet të jetë plotësisht transparent dhe të zhvillohet me korrektësi. Duhet të bëhen përpjekje të vendosura që të sigurohet përfaqësimi i lirë i vullnetit të anëtarësisë së plotë të LDK-së dhe të sigurohet pjesëmarrje e përfshirje e gjerë e brezave, në veçanti e brezit të ri, brezit të djemve dhe vajzave që e duan LDK-në si forcë prijëse politike në zhvillimin dhe integrimin euroatlantik të vendit.

Uroj që ky proces të jetë gjithpërfshirës, i lirë e demokratik dhe të rezultojë me zgjedhje të mira që do ta forcojnë dhe kthejnë për së mbari Lidhjen Demokratike të Kosovës!