Sejdiu: Mustafa e ka borxh të shpjegojë pse lidhi koalicion me PDK-në

Ish-kryetari i LDK-së, njëri nga themeluesit e saj, Fatmir Sejdiu, ka vlerësuar lart rolin historik të këtij subjekti politik për 25 vjet të rrugëtimit të saj. Me rastin e 25 vjetorit të themelimit të LDK-së, Sejdiu e ka kritikuar lidershipin aktual për shkëputje nga filozofia rugoviane. Ai ka kërkuar reforma, por jo krijimin e një LDK-je të re. 

Lajme

23/12/2014 08:26

Ai në një intervistë për “Epokën e Re” ka thënë se LDK-ja duhet të kthehet në identitetin dhe vizionin e saj fillestar.

“Duhet t’i kthehemi thellë atij vizioni të presidentit Rugova. Ka shumëçka që nuk është e plotë në atë frymë”.

Sejdiu ka bërë thirrje për vazhdimin e reformave të brendshme në parti, por jo që nga ky prces të krijohet një LDK e re.

Ish kryetari i partisë ka kërkuar sqarime nga lideri aktual i LDK-së që të tregojë se për cilat arsye ka lidhur koalicion me PDK-në.

“Mendoj se është e nevojshme të jepen shpjegime se për çfarë ka ndodhur ky koalicion. Ky koalicion nuk është i ditëve të fundit, por i një periudhe të mëhershme. Besoj se kryetari i LDK-së, tash kryetari i Qeverisë së Kosovës, e ka për borxh të japë sqarime”, ka deklaruar Sejdiu.

Sa i përket së ardhmes së tij në këtë parti, ai ka thënë se do të vazhdojë ta japë kontributin aty ku është e mundshme, nëse është e nevojshme edhe për ta drejtuar timonin e partisë.

“Kam thënë gjithmonë dhe e quaj të nevojshëm të deklarohem prapë se LDK-ja është shtëpia ime. Jam i gatshëm gjithnjë që rolin dhe potencialin tim ta jap në shërbim të zhvillimit më të mirë të LDK-së, pikërisht duke pasur parasysh synimin e saj themelor  që t’i mbetet besnik rolit që ka pasur dhe kujdesit ndaj atyre që kanë dhënë shumë për LDK-në, në mënyrë që të ndërtohet deh zhvillohet edhe më tutje”, është shprehur Sejdiu.