​Seancë solemne, Mitrovica e Jugut shënon 18-vjetorin e pavarësisë

Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Jugut ka mbajtur sot një seancë solemne me rastin e18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ku u vlerësua lart sakrifica shekullore e popullit shqiptar për liri dhe shtetësi. Kryetari i komunës, Faton Peci, tha se 17 Shkurti përfaqëson sublimimin e sakrificës gjithëpopullore ndër shekuj dhe jetëzimin e aspiratës shqiptare…

Lajme

17/02/2026 16:05

Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Jugut ka mbajtur sot një seancë solemne me rastin e18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ku u vlerësua lart sakrifica shekullore e popullit shqiptar për liri dhe shtetësi.

Kryetari i komunës, Faton Peci, tha se 17 Shkurti përfaqëson sublimimin e sakrificës gjithëpopullore ndër shekuj dhe jetëzimin e aspiratës shqiptare për liri. Ai theksoi se luftërat e popullit shqiptar asnjëherë nuk kanë qenë pushtuese, por vetëm çlirimtare, duke nderuar luftëtarët, dëshmorët dhe viktimat civile që u flijuan për lirinë e Kosovës, raporton KosovaPress.

“Ne jemi mbledhur sot këtu në këtë seancë solemne si përfaqësues të qytetarëve për të shënuar Ditën e Pavarësisë. Kjo datë me rëndësi të jashtëzakonshme historike është sublimim i sakrificës gjithëpopullore ndër shekuj, personifikim dhe jetëzim i aspiratës shqiptare. Ata që luftuan, sakrifikuan dhe dhanë gjithçka, përfshirë edhe jetën e tyre, bënë të mundur që ne sot të jetojmë të lirë në Kosovën tonë të dashur. Asnjëherë aspirata jonë si popull nuk ka qenë pushtuese, luftërat ndër shekuj kanë qenë vetëm për të përjetësuar lirinë. Ne kujtojmë me përulësi çdo qytetar që ka dhënë angazhim dhe kontribut për Kosovën e pavarur. Sot i përkulemi çdo luftëtari, nderojmë secilën viktimë civile – gra e fëmijë, pleq e plaka – të cilët u sakrifikuan dhe thirrën ndërgjegjen ndërkombëtare për lirinë e Kosovës. Ne sot duhet të jemi më të bashkuar se kurrë, sepse angazhimi, përpjekja, mundi, djersa dhe gjaku i rënë ndër shekuj nuk kanë pasur ngjyrim politik. Prandaj, le të jemi sot bashkë për të festuar dhe kremtuar, sepse kemi për çka të festojmë dhe të kremtojmë, dhe asnjëherë të mos harrojmë sloganin dhe kërkesën popullore që ka ekzistuar në dekada të tëra: ‘Rroftë Kosova Republikë’,” – tha Peci.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Safet Kamberi, vlerësoi se Pavarësia e Kosovës është rezultat i një përpjekjeje të përbashkët të veprimit politik dhe sakrificës së armatosur, duke përmendur figurat e presidentit historik Ibrahim Rugova dhe komandantit Adem Jashari si simbole të shtetformimit dhe qëndresës kombëtare.

“Sot shënojmë një ditë që nuk është vetëm në kalendarin tonë, por një kujtesë e gjallë e rrugës së gjatë e të mundimshme drejt lirisë. Tetëmbëdhjetë vite më parë, Kosova u bë shtet i pavarur, duke kurorëzuar sakrificën dhe përkushtimin e brezave që besuan se liria është e drejtë dhe nuk negociohet. Kjo ditë na bashkon të gjithëve. Liria e Kosovës është rezultat i një përpjekjeje të përbashkët të atyre që vepruan me mençuri politike dhe atyre që sakrifikuan jetën që ne sot të jemi të lirë. Monumenti i dy figurave, presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova dhe komandantit Adem Jashari, simbolizon vetë shtetin e Kosovës. Presidenti Rugova përfaqëson vizionin politik dhe përpjekjen e palodhshme për të ndërtuar shtetin dhe për ta bërë Kosovën të dëgjohet dhe të respektohet ndërkombëtarisht. Adem Jashari përfaqëson Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për liri, duke mishëruar qëndresën, guximin dhe vendosmërinë e popullit tonë,” – tha Kamberi.

Në emër të PDK-së, asamblisti Shkëlqim Ibrahimi përmendi figurat kryesore të procesit të çlirimit dhe shtetformimit, duke theksuar se ish-krerët e UÇK-së po përballen me një proces të padrejtë gjyqësor në Hagë. Ai tha se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër dhe se e vërteta do të triumfojë.

“Po ashtu, nuk mund të flasim për një rrugëtim drejt pavarësisë pa përmendur figurat kryesore politike, udhëheqësit që bartën përgjegjësi në momente vendimtare të shtetformimit dhe që ishin në piedestalet më të larta në përpjekje për liri: drejtorin politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shpallësin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, presidentin Hashim Thaçi, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të cilët ishin bartës të proceseve historike që çuan në shpalljen e pavarësisë dhe në konsolidimin e institucioneve të republikës sonë, ndërsa sot po përballen me padrejtësi politike në Hagë. Një gjyq politik i stërmbushur me dëshmi të rrejshme nga agresori serb ka sulmuar dhe ka tentuar të njollosë luftën e drejtë dhe përpjekjen për liri. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë sinonim i guximit, që refuzuan të përkulen para shtypjes, siç bëri Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe populli ynë në përgjithësi. Ata zgjodhën të ngrihen dikur për të qëndruar sot, të flasin dikur për të dëshmuar sot, të luftojnë për atë që besonin se ishte e drejtë, për të vendosur edhe njëherë për pastërtinë dhe drejtësinë e luftës”, tha Ibrahimi.

Asamblisti i Aleancës Kosova e Re, Gjergj Beka, vlerësoi lart rolin e presidentit historik Ibrahim Rugova dhe sakrificën e familjes Jashari, duke theksuar se 17 Shkurti është kurorëzim i ëndrrës shekullore për liri dhe pavarësi.

“Sot, në 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, qëndrojmë krenarë përpara historisë sonë. Tetëmbëdhjetë vite më parë, më 17 shkurt në Prishtinë, u vulos ëndrra shekullore e popullit tonë për liri dhe pavarësi. Kjo ditë nuk erdhi lehtë, ajo është frut i sakrificës së brezave. Me respekt të thellë kujtojmë presidentin historik Ibrahim Rugova, i cili me urtësinë dhe vizionin e tij e mbajti gjallë kauzën e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Me nderim të përjetshëm kujtojmë familjen heroike të Adem Jasharit dhe gjithë familjen Jashari si simbol i qëndresës dhe sakrificës sonë kombëtare,” – tha Beka.

Ndërkaq, asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Sazan Duraku Ramaxhiku, tha se gjykimi i luftës së UÇK-së nuk mund ta zhbëjë karakterin e saj çlirimtar, duke shprehur besimin se e vërteta do të dalë në pah dhe drejtësia do të triumfojë.

“Sot, kur po gjykohet lufta e UÇK-së, mbi të gjitha ne besojmë se e vërteta do të triumfojë. Lufta e UÇK-së ishte e pastër dhe e domosdoshme. Besojmë se drejtësia nuk mund ta zhbëjë karakterin çlirimtar të luftës sonë dhe se në fund do të konfirmohet ajo që populli ynë e di: se sakrifica për liri ishte e drejtë dhe e pastër,” – tha ajo.

Seanca solemne u përmbyll me thirrje për unitet, përkushtim ndaj vlerave të shtetit dhe nderim të përhershëm për sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve të lirisë.