Seancat inauguruese shtyhen për në mbrëmje

ZëvendësKryeministrja Edita Tahiri thotë se në mbrëmjen e ditës së sotme do të bëhet inaugurimi i asambleve komunale në Komunat e Veriut të Kosovës. Ajo thotë se edhe qëndrimi i Bashkimit Europian është që inaugurimet të bëhen me ligjet e Kosovës.

Lajme

10/01/2014 10:37

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se seancat inauguruese të asambleve komunale të katër Komunave të Veriut të Kosovës janë shtyrë për në mbrëmje.

Ato ka qenë të dashur të mbahen gjatë ditës, por mospajtimet rreth mënyrës së mbajtjes së tyre kanë detyruar palët që të shkojnë në Bruksel në përpjekje për ta gjetur një zgjidhje rreth ngërçit të krijuar.

ZëvendësKryeministrja Edita Tahiri, e cila është duke qëndruar në Bruksel për të biseduar rreth kësaj çështjeje, ka bërë të ditur se edhe Bashkimi Europian ka qëndrim që konstituimi i këtyre asambleve duhet të bëhet “në pajtueshmëri të plotë me ligjet e Republikës së Kosovës”.

“Zyra e Zëvendëskryeministres dhe njëherësh udhëheqëses për zbatimin e marrëveshjes për normalizim, Edita Tahiri, njofton se seancat inauguruese të komunave në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, janë shtyrë për t’u mbajtur sot në orët e mbrëmjes pas pozicionit të qartë që ka mbajtur Bashkimi Europian, se këto inaugurime dhe puna e tyre duhet të bëhet në pajtueshmëri të plotë me ligjet e Republikës së Kosovës”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

“Me ketë rast, Qeveria e Republikës se Kosovës edhe njëherë rikonfirmon qëndrimin se konstituimi dhe funksionalizimi i komunave të reja duhet të bëhet në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe Ligjet e Republikës së Kosovës. Nëse ndonjë nga kryetaret e zgjedhur apo anëtarët e kuvendeve komunale veprojnë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, atëherë Qeveria e Kosovës do të ndërmerr veprimet konkrete ligjore për ti shpallur ato jolegale”.