Përpara ndërtesës së Gjykatës së Bosnjë dhe Hercegovinës vërehet një prani e shtuar e forcave policore të Ministrisë së Brendshme të Kantonit të Sarajevës. Aty janë mbledhur edhe përkrahësit e Dodikut.
Derisa po pritet përfundimi i një gjyqi njëvjeçar, presionet ndaj Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës po rriten.
Nga njëra anë, udhëheqësia e RS-së kërcënon me “vendime radikale” dhe braktisjen e të gjitha institucioneve të Bosnjë dhe Hercegovinës nëse Dodiku dënohet.
Presion ushtrojnë edhe përfaqësuesit e autoriteteve të Serbisë fqinje, si dhe të Hungarisë.
Kështu, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi në Budapest më 17 shkurt se shpreson që “në Bosnje e Hercegovinë të mos merren vendime gjyqësore që mund të rrezikojnë stabilitetin”.
Dy ditë para seancës së fundit, edhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, bëri thirrje për “ndalimin e ndëshkimit të Dodikut”, i cili, bashkë me të gjithë udhëheqësinë e RS-së, është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për korrupsion dhe minimin e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Çfarë çoi në këtë gjyq?
Në seancat e Asamblesë së RS-së në qershor të vitit 2023 u miratuan ligje jokushtetuese që parashikonin se aktet ligjore të përfaqësuesit të Lartë nuk do të publikoheshin në Gazetën Zyrtare të RS-së dhe se vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës, të cilat sipas Kushtetutës së këtij shteti janë përfundimtare dhe detyruese, nuk do të zbatoheshin në territorin e këtij entiteti.
Përfaqësuesi i Lartë, Christian Schmidt, i anuloi këto dy ligje entiteti më 1 korrik 2023 përmes kompetencave të tij të Bonit dhe ndryshoi Kodin Penal të Bosnjës dhe Hercegovinës, duke e bërë vepër penale moszbatimin e vendimeve të përfaqësuesit të Lartë.
Më 7 korrik 2023, Dodik nënshkroi dekretet, me të cilat i shpalli këto ligje të vlefshme, dhe ato u botuan në Gazetën Zyrtare të RS-së. Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës ngriti aktakuzë ndaj Dodikut dhe Llukiqit më 11 gusht, dhe gjykata e konfirmoi atë më 11 shtator. REL