Seanca mbahet me apo pa shqiptarët
Krstimir Pantic shprehet i bindur se Komuna e Veriut të Mitrovicës do të fillojë së punuari me apo pa asambleistët shqiptarë. Ai tha se Prishtina nuk ka kompetenca që të përzihet në konstituimin e kësaj qeverisje lokale.

Lajme
Mbledhja konstituive e Komunës së Veriut të Mitrovica do të mbahet me apo pa prezencën e asambleistëve shqiptarë, thotë kryetari i sapozgjedhur i kësaj komune, Krstimir Pantic.
Asambleistë shqiptarë dhe një boshnjak kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e cila pritet të mbahet më 24 dhjetor pasi që ftesat i janë bërë në gjuhën serbe dhe pa simbole shtetërore të Kosovës.
Pantic për mediat serbe, tha se zgjedhjet lokale të 3 nëntorit janë mbajtur në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit, që sipas tij, është neutrale ndaj statusit.
“Mbledhja konstituive e Kuvendit Komunal të Veriut të Mitrovicës do të mbahet më 24 dhjetor. Me apo pa asambleistë politikë, kjo mbledhje do të mbahet, asamblistët dhe Kryetari i komunës do të nënshkruajnë deklarimin zyrtar”.
“Mosardhja e shqiptarëve tregon se ata po mundohen ta ndalojnë themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, ndërsa bashkësia ndërkombëtare nuk reagon”.
“Prishtina kërkon që materiali komunal të mos jenë neutral ndaj statusit”.
“Prishtina nuk ka më mundësi që të bëjë kërkesa. Marrëveshja e Brukselit definon qartë kriteret për zgjedhjet lokale në Kosovë. Kjo është e vetmja marrëveshje që as Beogradi e as Prishtina nuk do të mundin që ta interpretojnë sipas dëshirës së vet, pasi që ajo është arritur në përputhje me fusnotën”, tha Pantic.