Seanca konstituive vazhdon më 12 shtator (video)

Vazhdimi i seancës konstituive të kuvendit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit, do të mbahet më 12 shtator.

Lajme

04/09/2014 12:45

Ky vendim është marrë të enjten në mbledhjen e kryesueses së Kuvendit, deputetes më të vjetër, Flora Brovina, e cila kishte ftuar liderët partiakë për të biseduar rreth caktimit të datës së mbajtjes së kësaj seance.

Por ky vendim është marrë pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bllokut opozitar LDK-AAK-Nisma dhe atyre të Vetëvendosjes, të cilët kishin refuzuar ftesën me arsyetimin se nuk është kompetencë e Brovinës të thërrasë këtë takim.

Në këtë takim përveç përfaqësuesve të PDK-së, të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e Listës Serbe dhe të minoriteteve të tjera.

Pjesa e parë e seancës konstituive të Kuvendit u mbajt më 17 prill nën tension, pasi PDK insistonte që si parti fituese e zgjedhjeve asaj i takon posti i kryeparlamentarit, por për shkak të mungesës së korumit, seanca u shpall e mbyllur nga kryesuesja Flora Brovina.

Por pas mbylljes së kësaj seance, deputetët e bllokut dhe ata të Vetëvendosjes u mblodhën në sallën e Kuvendit dhe zgjodhën për kryetar liderin e LDK-së, Isa Mustafa.

Dhe pas ankesës së PDK-së, që kërkoi interpretim nga Gjykata Kushtetuese, kjo e fundit mori vendim se zgjedhja e Isa Mustafës në postin e kryeparlamentarit ishte bërë në kundërshtim me Rregullorën e Kuvendit dhe Kushtetutën e Kosovës.