Së shpejti rriten çmimet për sigurim të veturave, flet BQK-ja dhe Shoqata e Sigurimeve

Qytetarët e Kosovës më gjasë shumë shpejt do të detyrohen të paguajnë kosto shtesë për sigurimin e veturave të tyre.

Lajme

19/07/2019 16:02

Pas falimentimit të një kompanie të sigurimeve, punët mirë nuk po u shkojnë as disa kompanive tjera të sigurimeve.

Tashmë pronarët e kompanive të sigurimeve jo zyrtarisht kanë pranuar se policat e sigurimeve do të shtrenjtohen deri në rreth 35 për qind.

Në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) nuk e kanë mohuar që do të ketë një rritje, por kanë thënë se aktualisht nuk ka një vendim të tillë.

“Ju informoj se aktualisht nuk ka rritje të çmimeve të sigurimit të automjeteve. Ashtu siç ka bërë edhe në të kaluarën, për çdo vendim të ri Banka Qendrore e Republikës së Kosovës do ta njoftojë publikun”, ka thënë për lajmi.net, Kushtrim Ahmeti, zëdhënës i BQK-së

Shoqata e Sigurimeve të Kosovës është organizatë joqeveritare jo-profitabile e cila përfaqëson kompanitë e sigurimit të cilat janë anëtare të Shoqatës në raport me palët e treta.

As kjo shoqatë nuk e ka mohuar që do të ketë shtrenjtim të çmimeve.

Nga kjo shoqatë kanë thënë se çështja e ndryshimit të çmimit të sigurimit është çështje individuale e secilës kompani të sigurimit, e licencuar për të ofruar këtë lloj sigurimi.

“Sipas Ligjit Nr. 04/L-018 për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, respektivisht me Nenin 8 të këtij ligji, secili sigurues ka të drejtë të paraqesë kërkesë për aprovim/ndryshim të tarifave të sigurimit për të cilat, çdo përllogaritje e tyre duhet të jetë në harmoni të plotë me rregullat e përcaktuara nga Banka Qendrore e Kosovës. Këto rregulla përfshijnë përcaktimin e strukturës së primit, shumën minimale apo maksimale apo kufi tjetër brenda të cilit primi duhet të jetë, si dhe bazën teknike e cila duhet të përdoret nga siguruesit me rastin e llogaritjes së primit të sigurimit”, thuhet në përgjigjen e Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës.

Aktualisht edhe sistemi për lëshim të policave të sigurimit është duke u kontrolluar nga Banka Qendrore e Kosovës. Ndërkohë ka pasur raportime se BQK-ja po e ndalë sistemin dhe po kërkon që secila kompani të lëshoj polica në mënyrë të barabartë.

BQK-ja në muajin qershor të vitit 2019 e ka publikuar raportin e fundit për stabilitetin financiar. Në këtë raport flitet dhe për përformimin në sektorin e sigurimeve.

Struktura e sektorit të sigurimeve vazhdon të dominohet nga shërbimet e sigurimit ‘jo-jetë’ i cili përfaqëson 90.8 për qind të aseteve të tregut të sigurimeve, ndërsa pjesa e mbetur përbëhet nga asetet e siguruesve ‘jetë’. Numri i siguruesve në vitin 2018 u zvogëlua si pasojë e tërheqjes nga tregu e një prej siguruesve ‘jetë’. Rrjedhimisht, numri i siguruesve nga 15 u zvogëlua në 14 sigurues, prej të cilave 12 janë sigurues jo-jete dhe 2 sigurues ‘jetë’.

Sipas Raportit, në vitin 2018, tërheqja nga tregu i njërës nga siguruesit ‘jetë’ rezultoi në rënie të pjesëmarrjes së aseteve të menaxhuara nga kompanitë me pronësi të huaj në 52.3 për qind (54.3 për qind në vitin 2017). Pjesëmarrje më të lartë në gjithsej asetet e sektorit të sigurimeve në vitin 2018 kishte Shqipëria, përderisa Austria dhe Sllovenia zvogëluan pjesëmarrjen në gjithsej asetet e sektorit.

Asetet e sektorit të sigurimeve në dhjetor 2018 zbritën në 175.7 milionë euro, duke shënuar rënie vjetore margjinale prej 0.6 për qind (figura 88). Asetet e siguruesve ‘jo-jetë’ u rritën për 2.7 për qind, përderisa asetet në kuadër të sigurimit ‘jetë’ shënuan rënie vjetore prej 24.8 për qind.

“Në rënien e aseteve të sektorit të sigurimeve ndikoi tërheqja nga tregu e një prej siguruesve jetë gjatë vitit 2018”, thuhet në raport.

Përkundër rritjes së dëmeve të ndodhura, rritja e të hyrave neto nga primet dhe menaxhimi efikas i shpenzimeve ndikuan që sektori i sigurimeve ta përmbyll vitin me rezultat pozitiv financiar, edhe pse më të ulët krahasuarme vitin paraprak. Fitimi i regjistruar në vitin 2018 ishte 1.6 milionë euro, krahasuar me fitimin prej 6.4 milionë euro në vitin 2017.

Ky rezultat financiar pasqyron rritjen më të lartë të dëmeve të ndodhura (39.5 përqind) kundrejt rritjes së të hyrave neto nga primi (5.8 përqind), dhe njëkohësisht, rënies vjetore të shpenzimeve të sektorit prej 3.4 përqind. Në kuadër të këtij fitimi të realizuar, siguruesit jojetë operuan me fitim prej 1.0 milionë euro, ndërsa siguruesit jetë 0.6 milionë euro.

Raporti thekson që, indikator tjetër që tregon ngadalësimin e fitimit gjatë vitit 2018 është raporti i kombinuar në nivel prej 97.7 për qind nga 89.6 për qind në vitin 2017, e që nënkupton se tregu i sigurimeve për 1 euro të fituar ka shpenzuar 0.98 euro në krahasim me 0.90 euro në vitin paraprak. /Lajmi.net/