Së shpejti ndërtohet qendra për personat me sindromën Down dhe Autizëm

Ndërtimi i Qendrës për personat me Sindromën Down dhe Autizëm akoma nuk ka filluar, ndonëse kjo shumë herë u premtua. Në Komunën e Prishtinës thonë se së shpejti do të filloj ndërtimi i kësaj qendre, për të cilën është ndarë edhe lokacioni. E përveç se ndërtimi nuk ka filluar, në Shoqatën “Down Syndrome Kosova” thonë se ata akoma nuk kanë dal as në hapësirat që iu dhanë për shfrytëzim, në mars të këtij viti.

Lajme

17/07/2019 09:18

Premtimet e fundit u dhanë me 21 mars të këtij viti, se së shpejti do filloj ndërtimi i Qendrës për të prekurit me sindromin Down dhe Autizëm, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Përveç kësaj, Kosovare Bunjaku nga Shoqata “Down Syndrome Kosova” i tha  Radio Kosovës, se shoqata akoma nuk ka dal as në hapësirat që i’u dhanë për shfrytëzim, në mars të këtij viti, nga Komuna e Prishtinës.

“Sa i përket ndërtimit të objektit, marrëveshja është bërë, por ende nuk kanë filluar punimet. Ne akoma s’kemi dalë as në hapësirat që na janë dhënë për shfrytëzim të përkohshëm, për shkak të disa renovimeve që janë duke u bërë. Por, pritet me dal në këto hapësira të reja ndoshta brenda dy javësh apo edhe një muaji”, tha ajo.

Radio Kosova ka pyetur Komunën e Prishtinës se kur pritet të filloj ndërtimi i Qendrës për të prekurit nga Sindroma Down dhe Autizmi, për të cilin është ndarë edhe toka. Por, zëdhënësja e këtij institucioni, Miranda Mullafazliu, duke mos dhënë datë, nëpërmjet telefonit, tha shkurt, vetëm se, shumë shpejt do të filloj ndërtimi i objektit.

Hapësirat e vogla që i kanë në dispozicion, po paraqesin vështirësi në punë, thotë Kosovare Bunjaku nga “Down Syndrome Kosova”.

“Është nevojë shumë e madhe e qendrës tonë, që të kemi një hapësirë më të madhe, marrë parasysh numrin e madh të anëtarëve. Vështërsi kemi veqanërisht në kaudër të programit të punës me të rritur, ku kemi shumë punëtori, na duhet që dy a tre punëtori me i realizu brenda një hapësire shumë të vogël”, tha ajo.

Sipas Bunjakut, në Shoqatën “Down Syndrome Kosova”, në Prishtinë, janë të antarësuar 150 persona. Nga ta, mbi 55 anëtarë marrin shërbime në programin e të rriturve dhe atë të fëmijëve. Ndërkohë që, në listë të pritjes për inkuadrim në shërbime terapeutike, janë edhe 15 fëmijë.