S’do të kishim asgjë më shumë edhe nëse FAK do të quhej ushtri

Agim Çeku e ka vlerësuar nismën që FSK do të bëhet FAK, si një premtim të mbajtur të Kryeministrit Hashim Thaçi. Thotë se emri ‘ushtri’ i kësaj force s’do t’i jepte asgjë më shumë Kosovës.

20/02/2014 19:23

Planifikimi që Forcat e Sigurisë së Kosovës të shndërrohen në Forcat e Armatosura të Kosovës, sipas ministrit të FSK’së, Agim Çeku, ka ardhur në kohën e duhur.

Sipas tij, ky ndryshim, do të jetë përmbushje e premtimit të shefit të tij.

Çeku ka thënë për RTK’në se edhe FAK do të jetë ushtri, por emërimi i saj kushtetues si e tillë nuk do t’i kishte dhënë Kosovës asgjë më shumë,

“Emri kushtetues është diçka tjetër, çdo vend e ka emrin ndryshe, 18 vende të NATO’së nga 28 i quajnë Forcat e Armatosura të vendit përkatës, kështu që të gjitha janë për nga natyra për nga misioni për nga substanca një ushtri. Kështu që edhe Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë ushtri”.

“Asgjë më shumë nuk do të kishte pasur Kosova nëse do të ishte quajtur me emrin kushtetues ‘ushtri’. Do të kemi forca tokësore që dikush i quan ushtri, do ta kemi garden kombëtare, do ta kemi komandën e logjistikes dhe komanda e trajnimit dhe doktrinës”.

Ai paralajmëroi se ky ndryshim do ta bjerë edhe Ministrinë e FSK’së si Ministri e Mbrojtjes që, sipas tij, do të jetë si çdo ministri tjetër në botë.

“Me këto ndryshime Ministria për FSK’në do të shndërrohet në Ministrinë e Mbrojtjes. Kosova do ta ketë Ministrinë e Mbrojtjes me kompetenca, me strukturë, me detyra, e ndershme, si çdo ministri tjetër në botë”.

Por a do të kujdeset kjo Forcë edhe për mbrojtjen e eksterritorialitetit edhe në veri?

“Ne do të kujdesemi për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit në gjithë territorin e Kosovës”, tha Çeku në RTK.