S’diskutohet për drejtat e shqiptarëve
Ivica Dacic dhe përfaqësuesit politikë të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës, në takimin e mbajtur në Beograd, nuk kanë diskutuar për të drejtat e shqiptarëve. Ata kanë biseduar kryesisht për gjendjen e shëndetësisë.

Lajme
Përfaqësues politikë të Luginës së Preshevës kanë biseduar sot në Beograd me Kryeministrin e Serbisë, Ivica Dacic.
Në një prononcim për media, Zoran Stankovic, Shef i Trupit Koordinues për komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, ka thënë se gjatë këtij takimi janë dakorduar që përfaqësuesit shqiptarë të kenë takime të rregullta me qeveritarët serbë çdo tre muaj. Këto takime, sipas tij, do të shërbejnë për zgjidhjen e problemeve të tyre.
“Në këto bisedime që pritet të fillojnë ne fund të këtij muaji, do të jenë të përfshirë 13 përfaqësues të ministrive, ndër ta do të jetë Ministrja për Shëndetësi, ku do të diskutohet për kujdesin shëndetësor të qytetarëve në këto 3 komuna”.
Lideri i Partisë së Veprimit Demokratik, Riza Halimi, ka thënë së në këtë takim nuk është diskutuar lidhur me sigurimin e të drejtave për shqiptarët e Luginës, të drejta të cilat i kanë serbët në Veri Kosovës.
“Biseda në këtë takim ka qenë shumë korrekte dhe mund të them se unë personalisht nga ky takim jam larguar me më shumë optimizëm”.
Halimi ka vlerësuar se nuk do të duhej të ishte problem vizita e Kryeministrit serb në Kosovë, ashtu siç nuk do të paraqitej problem që një gjë të tillë ta bënte edhe Kryeministri i Kosovës në Luginë të Preshevës.
Megjithatë, Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Jonuz Musliu, ka deklaruar se nuk është i kënaqur me rrjedhën e takimit.
Musliu, i cili është Kryetar i Lëvizjes për Progres Demokratik, ka thënë për Beta se në raport me Dacicin “ekziston një politikë e papërshtatshme, pasi që ai vazhdon të flasë me gjuhën e policisë dhe dhunës”.
“Ne kemi pritur se do të fillojmë të zgjidhim problemet ekonomike, politike dhe sociale. Kjo është planifikuar edhe në takimin e shkurtit, ku kemi hartuar platformën për masat urgjente për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, ndërsa Dacic ka kërkuar nga ne shqiptarët që të zgjidhim vetëm problemet teknike.”