Schlumberger i kënaqur me zgjedhjet

Shefi i OSBE'së, Jean-Claude Schlumberger, shprehet i kënaqur me procesin zgjedhor në Mitrovicë të Veriut. Thotë se Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR dëshmuan nivel të lartë të sigurisë duke ofruar një ambient të qetë dhe të sigurt.

Lajme

23/02/2014 22:06

Misioni i OSBE’së ka përmbyllur me sukses procesin e lehtësimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Veri të Mitrovicës.

Në një njoftim nga OSBE, thuhet se banorët me të drejtë vote patën mundësi që të hedhin votën e tyre nga ora 7:00 deri në ora 19:00, në shtatë qendra të votimit me 33 vendvotime.

Shefi i Misionit të OSBE’së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, është shprehur i kënaqur me procesin zgjedhor në Veriun e Mitrovicës, i cili gjatë ditës së sotme ka kaluar i qetë dhe në mënyrë të rregullt.

 “Jam shumë i kënaqur me mbarëvajtjen e zgjedhjeve të sotme”

“Anëtarët e këshillave të vendvotimeve i kanë kryer detyrat e tyre me profesionalizëm dhe afro 100 pjesëtarë të OSBE’së ofruan ndihmën e nevojshme teknike.”

“Për më tepër, ofruesit e sigurisë – Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR – edhe një herë u dëshmuan në nivel të detyrës, duke ofruar një ambient të qetë zgjedhor, dhe unë i falënderoj për punën e tyre të palodhshme”, ka thënë Schlumberger.