Schengeni grek nis me Enver Hoxhajn

Ministri Enver Hoxhaj në takim lamtumirës me përfaqësuesin e Greqisë në Prishtinë. Hoxhaj shfrytëzoi këtë takim për t’u pajisur me vizën e parë Schengen të Greqisë. Ky shtet ka filluar që të jep viza Schengen në pasaportat e Kosovës.

Lajme

27/03/2014 14:13

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka marrë vizën e parë Schengen të Greqisë.

Ai këtë simbolikë e bëri ne takimin lamtumirës me shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë, Dimitris Moschopoulos.

Moschopoulos ka bërë të ditur se Ministri Hoxhaj ka qenë këmbëngulës që prej vizitës së fundit në Athinë dhe takimet e fundit që viza greke të vendoset në pasaportat kosovare dhe të vlejë për tërë zonën Schengen.

unnamed

 

“Fillimisht ne kemi lëshuar viza në një letër të veçantë për qytetarët e Kosovës, por kjo ka shkaktuar konfuzion. Por, vitin e kaluar ministri Hoxhaj ka qenë në vizitë tek ministri i Jashtëm grek dhe ka folur për këtë dhe ka kërkuar që vizat për qytetarët e Kosovës të lëshohen në pasaportën e Kosovës. Tani kjo vizë është valide për tërë zonën Schengen përjashto Spanjën”.

Hoxhaj e ka falënderuar ambasadorin, duke e quajtur mik të tij dhe të Kosovës. Ai ka thënë se përkundër faktit që Greqia ende nuk e ka njohur Kosovën, ndërmjet dy shteteve ekziston një bashkëpunim shumë i mirë institucional.

“Në rastin e Greqisë ajo deri më tash nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Miku im Dimtris dhe unë kemi provuar një qasje të re të cilën e kemi quajtur si bashkëpunim institucional, sesi të kemi njohje të pasaportës së Kosovës, të vizave Schengen, se si të kemi anëtarësim të Kosovës në organizata të ndryshme evropiane, ku Kosova është anëtarësuar si shtet sovran dhe i pavarur”.

Në interesimin e  gazetarëve për shërbimet konsullore që ofron Kosova për qytetarët me banim jashtë vendit, ministri Enver Hoxhaj ka paralajmëruar lansimin e një pako të re shërbimesh dhe marrjen e një vendimi  për uljen e gjitha tarifave për këto shërbime.

“Kemi një informatë që shërbimet konsullore që i ofron Republika e Kosovës në vende të ndryshme të botës janë të shtrenjta. Kemi bërë një analizë të plotë dhe besoj që brenda disa ditësh unë do të marrë një vendim që do të ulen të gjitha tarifat, pagesat për shërbimet konsullore”.