SBASHK-u nuk lëkundët pas thirrjes së kryeministrit: Greva vazhdon

Para pak çastesh kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar që të përfundoj greva e mësimdhënësve.

Lajme

20/01/2019 20:42

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka takuar përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK), ku i ka njoftuar për rritjen e pagave dhe ka kërkuar që të ndërpritet greva, raporton lajmi.net.

Haradinaj pas këtij takimi në një konferencë për media ka deklaruar se Qeveria ka ndarë 20 milionë euro në vit për mësimdhënësit.

Lexo edhe: 

http://lajmi.net/qeveria-ndan-20-milione-euro-per-mesimdhenesit-por-nuk-arrin-marreveshje-me-sbashk-un/

Mirëpo, kjo ofertë e kryeministrit Haradinaj, po shihet si tepër e ulët.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në një prononcim për lajmi.net, ka thënë se greva do të vazhdojë.

“ Jo ne nuk jemi dakord që greva të ndërpritet. Ajo që dihet nga komunikimet e para, greva do të vazhdojë sepse po them oferta e Qeverisë është tepër e ulët karshi kërkesës minimale tonë prej 30 për qind të përmirësimit të koeficienteve për tërë sektorin e arsimit”, ka deklaruar Jasharaj për lajmi.net.

Tutje ai ka thënë se me një vendim zyrtar për grevën do të dalin pas 30 minutave pasi që siç tha ai, të merren vendimet nga të gjithë përfaqësuesit e mësimdhënësve.

Ndryshe, që nga 14 janari i këtij viti, i tërë arsimi i mesëm dhe i ulët në vendin tonë ka hyrë në grevë. /Lajmi.net/