SBASHK-u kërkon takim me FMN-në, kundërshton ndryshimin e projektligjit për punëtorët e arsimit

Projektligji për statutin e punëtorëve të arsimit të viteve të 90-ta, po del të jetë një problem i madh për buxhetin e Kosovës.

Lajme

18/04/2018 12:27

Kështu të paktën është vlerësuar dje nga përfaqësuesi Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, shkruan lajmi.net.

“Ne do të këshillonim fuqimisht që të mos ecim përpara me këtë projektligj në formën e tij aktuale”, deklaroi dje për kallxo.com, Ruud Veremulen, përfaqësues rezident i FMN-së në Kosovë.

E në anën tjetër, SBASHK-u si insistuesi më i madh për votimin e projektligjit për statutin e mësimdhënësve të viteve të 90-ta, po kundërshton çfarëdo lloj forme të ndryshimit të këtij projektligji.

Në një prononcim për lajmi.net, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, thotë se deklarata e përfaqësuesit rezident të FMN-së në Kosovë, është një deklaratë e bazuar në shënime të njëanshme, dhe për këtë shkak, ata i kanë dërguar letër atij duke e ftuar në një takim për qartësimin e situatës dhe kostos së projektligjit.

“SBASHK-u nga mediat është informuar me deklaratat e përfaqësuesit të FMN-së, është një deklaratë që ne konsiderojmë se është bazuar në shënime të njëanshme, dhe pikërisht për këtë, ne sot i kemi dërguar një letër zyrtare përfaqësuesit rezident të FMN-së në Kosovë, për t’u takuar me të, në mënyrë që ne t’i ofrojmë të gjithë dokumentacionin dhe argumentet tona. Shpresojmë dhe besojmë se ai do ta ketë një pasqyrë tjetër lidhur me projektligjin për statutin e punëtorëve të arsimit, dhe do të ketë edhe qëndrim tjetër, ngase në konsiderojmë se ky projektligj dhe kostoja buxhetore për të nuk është ajo që e ka thënë në momente të caktuara bie fjala ministri Hamza, por është një buxhet krejt tjetër”, thotë  Jasharaj.

Jasharaj shton se deklaratat e Ministrit Hamza për koston e këtij projektligji nuk qëndrojnë, dhe se shuma prej gjashtë milionë eurove nuk do të dyfishohet siç thotë ministri.

“Bije fjala për vitin e ardhshëm nuk e kalon shumën prej gjashtë milionë, dhe kjo shumë nuk dyfishohet siç është munduar ta thotë Ministri Hamza apo dikush tjetër, por shkon duke u rritur në një shkallë të vogël, e nga ana tjetër, edhe përfituesit e këtij ligji nuk shkojnë duke u shtuar shumë ngase ata në kohën kur kanë punuar në vitet e 90-ta e kanë pasur një moshë të caktuar dhe një pjesë e tyre edhe tanimë nuk janë mes të gjallëve. SBASHK-u do të bëjë çmos, dhe ne do të fillojmë edhe me angazhimet tona që përmes takimeve me komisionin parlamentar të arsimit dhe me shefat e grupeve parlamentare ashtu siç na kanë premtuar edhe në përbërjen e kaluar të parlamentit të Kosovës, edhe kësaj here shpresojmë që ata do ta vlerësojnë punën që është bërë në vitet e 90-ta, dhe do ta kemi mbështetjen e tyre” deklaroi ai.

Jasharaj thotë se pas takimit me përfaqësuesit e FMN-së në Kosovë, do të hidhet dritë mbi faktet aktuale të këtij projektligji, dhe me gjasë do të ndryshojë edhe qëndrimi nga FMN-ja.

Ne besojmë se deklarata e FMN-së, pas takimit me ne dhe argumentimit që do t’i bëjmë, do të jetë ndryshe, kemi informacione jo zyrtare se projektligji është dërguar në parlament, dhe jemi të sigurtë që ata do ta bëjnë punën e tyre, dhe do ta votojnë këtë ligj, madje ata vet do ta shohin se ky projektligj nuk e godet shumë buxhetin e Kosovës, sepse po e them që maksimumi i këtij buxheti për vitin e ardhshëm është gjashtë milionë euro, dhe këto nuk janë shumë për buxhetin e Kosovës, duke u bazuar në faktin se ata njerëz të viteve të 90-ta meritojnë respekt për punën e tyre” deklaroi Jasharaj.

Ai paralajmëron se në rast të veprimeve të tjera të kuvendit ose qeverisë së Kosovës, ata do të hedhin në veprim mekanizmat sindikal, ngase sipas tij është punuar shumë për pesë vite për këtë projektligj.

“Nëse ndodhin gjëra të tjera, ne do të jemi të shtrënguar që në çdo formë ta mbrojmë projektligjin ngase është punuar shumë dhe është punuar 5 vite. Ne do të përcjellim me kujdes çfarë po ndodh me këtë projektligj dhe do të veprojmë sipas situatave të krijuara, uroj që parlamenti mos të na vëjë në pozitë që sërish të angazhohemi dhe të bëjmë veprimet sindikale të cilat vërtetë ne nuk i dëshirojmë”, përfundoi Jasharaj.

E në anën tjetër, lajmi.net ka tentuar të kontaktojë edhe me Qeverinë e Kosovës për vlerësimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar lidhur me projektligjin e statutit të punëtorve të arsimit të viteve të 90-ta, si dhe lidhur me rishiqimin e mundshëm të këtij projektligji, mirëpo nuk ka marrë përgjigje./Lajmi.net/