SBASHK: Punëtorët e arsimit të përkushtuar në realizimin e misionit të tyre

Të gjendur në një situatë të re nga 11 marsi, punëtorët e arsimit nuk e kanë harxhuar kohën kot sipas SBASHK-ut, por kanë krijuar rrjete komunikimi me nxënësit dhe prindërit duke vazhduar procesin mësimor në rrethana të reja.

Lajme

30/03/2020 10:48

Ky komunikim po mundëson që të bashkëbisedohet për njësitë mësimore të përgatitura nga MASHTI e që po prezantohen në RTK, por janë të shumta rastet kudo në Kosovë që edhe mësimdhënësit po përgatisin njësi mësimore sipas planit dhe ato po i plasojnë në rrjete sociale duke komunikuar në të njëjtën kohë me nxënësit e tyre për të dhënë edhe detyra e duke i kontrolluar ato.

SBASHK-u thotë se është në takime të vazhdueshme nga larg me stafin qendror, por edhe me veprimtarë sindikal nga Arsimi Parauniversitar dhe Universitetet duke u dhënë mbështetje e duke përgëzuar gjithë punëtorët e arsimit që edhe në rrethana të vështirësuara, nuk janë larguar për as një moment nga misioni i tyre i shenjtë, por vazhdojnë punën me përkushtim e zell duke i dhënë forcë e vlerë trekëndëshit të famshëm mësimdhënës-nxënës-prindër e duke mundësuar kështu vazhdimin e procesit edukativ e arsimor.

SBASHK-u thotë se mban takime të përditshme nga larg me stafin qendror dhe me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të Universiteteve, por për të qenë sa më afër kolegëve tanë kudo në Kosovë ka nisur me takimet nga larg edhe me kryetarët e shoqatave sindikale.

“Në një takim të tillë me veprimtarët sindikalë nga Vitia është zhvilluar një bashkëbisedë e frytshme dhe SBASHK përgëzon kolegët tanë nga kjo komunë që po bëjnë angazhime të mëdha e po shënojnë arritje të shumta duke zhvilluar procesin mësimor nga larg me nxënësit e tyre. Takimet e tilla do të vazhdojnë fillimisht me kolegët sindikalistë nga komunat që janë më të prekura nga koronavirusi në mën yrë që bashkërisht të shtrojnë ide e të angazhohemi në kryerjen e misionit të shenjtë të mësuesit edhe në këto kohë të vështira”, thuhet në komunikatë.

Punëtorët e arsimit -vijon SBASHK- janë dëshmuar në të kaluarën e po dëshmohen edhe tani se qëndrojnë në ballë të angazhimeve duke realizuar misionin e tyre dhe obligimin e tyre për arsimimin dhe edukimin e brezave pavarësisht sfidave dhe vështirësive të kohës.

SBASHK-u në kuadër të angazhimeve në shërbim të arsimit në këto rrethana të reja është duke komunikuar me psikologë e pedagogë shkollash me qëllim që bashkërisht të krijojnë mundësi që prindërit të komunikojnë me ta nga larg për të marrë përgjigje profesionale për çështje të veçanta. /Lajmi.net/