SBASHK kërkon sqarim të çështjes së pensioneve

Sindikata e Bashkuar e Arsimit Kulturës dhe Shkencës – SBASHK ka paralajmëruar Qeverinë e Kosovës se, nëse nuk zgjidhet së shpejti çështja e pensionimit të punëtorëve të arsimit, do të nisë veprimin “me të gjitha mjetet e lejuara sindikaliste”.

Lajme

05/08/2015 19:07

Lexoni më poshtë komunikatën e plotë të SBASHK-ut.

Pensionet aktuale për të pensionuarit kontributdhënës janë 140 euro, kurse ato të pleqërisë, apo për ata që kurrë nuk kanë qenë të punësuar diku, janë 75 euro. Vetëm këtë vit janë punësuar rreth 500 punëtorë të arsimit në Kosovë dhe pjesa më e madhe e tyre nuk po e gëzojnë pensionin kontributdhënës, por atë të pleqërisë. Këta mësimdhënës me arsye po ndihen të ofenduar dhe janë plot mllef. Atyre u është thënë se duhet t’i kenë së paku 15 vite kontributdhënëse para 1.01. 1999 dhe se shteti nuk paska dedikuar mjete në emër të kontributdhënies për vitet e punës në arsim 1989-1999,

Mësimdhënësit kanë arsye të ndihen edhe të ofenduar edhe të injoruar sepse nuk po u njihen pikërisht vitet që për arsimin në Kosovë numërohen si të lavdishme dhe me plot sakrifica sepse të punësuarit në arsim krijuan sistemin arsimor të Kosovës krijuan sistemin arsimor të Republikës së Kosovës dhe i ishin kundërvënë gjatë gjithë kohës përpjekjeve të pushtuesit serb që arsimin shqip ta vinte nën kthetrat e veta. Mësimdhënësit kanë arsye të ndihen edhe të ofenduar edhe të injoruar , jo për arsye se marrin për çdo muaj 65 euro më pak se sa u takojnë, por nga arsyeja se Ligji mbi Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, i dekretuar nga presidentja e Kosovës , znj. Atifete Jahjaga më 21.05. 2014, ua garanton të drejtën për pension të plotë e të merituar.

Ky realitet i hidhur dhe paraqitja e Qeverisë se asgjë nuk po ndodh është edhe më pikëllues nga fakti se të huajt që ishin në përkrahje të arsimit shqip të viteve 89-99 në Kosovë janë shprehur publikisht se për ato vite punëtorët e arsimit të Kosovës meritojnë respekt. Kështu edhe sekretari i përgjithshëm i Internacionales Botërore të Arsimit gjatë vizitës në Kosovë në fillimin e qershorit të këtij viti ishte shprehur publikisht e zëshëm se në cilin do shtet të botës po të ndodhte të punohej ashtu si punuan mësimdhënësit e Kosovës në mbrojtje të arsimit dhe gjuhës e shkollimit të tyre shteti , le që do ua njihte ato vite si kontributdhënëse po do ua numëronte dy për një.

SBASHK-u është munduar të zhvillojë dialog me Ministrin Abrashi për këtë çështje, por ai nuk ka pasur kohë. SBASHK-u është takuar me zv/ministren Rita Hajzeri dhe i ka shprehur këtë brengë të madhe, por nuk kishte ndonjë përgjigje konkrete. Duke u gjendur në këtë situatë e duke qenë se SBASHK-u, që angazhohet fuqishëm për mbrojtjen e të drejtave legjitime të të punësuarve në arsimin e Kosovës, do të provojë edhe pak kohë që çështja e pensionimit të punëtorëve të arsimit të sqarohet si duhet përmes dialogut, e nëse dialogu nuk jep fryt , atëherë SBASHK-u do të veprojë me të gjitha mjetet e lejuara sindikale me qëllim që vitet 89-99 në arsim të vlerësohen ashtu si e meritojnë , të jenë vërtetë të pranuara si kontributdhënëse dhe që punëtorët e arsimit ta gëzojnë të drejtën që u takon edhe me nenin 8, pika 6 të Ligjit 04/L-131, thuhet në komunikatën e sotme të SBASHK-ut.