SBASHK: Ka gabime në paga, greva vazhdon

Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës (SBASHK) njofton se edhe nesër (e enjte) do të vazhdojë greva nëpër shkolla.

Lajme

29/04/2015 19:06

SBASHK thotë se greva do të vazhdojë pasi, sipas analizave të bëra nga Këshilli Qendror Grevist, është konstatuar se në pagat që janë proceduar sot për të punësuarit në arsim, ka gabime në llogaritje e përvojës së punës.

“Këshilli Qendror Grevist i SBASHK-ut pas raporteve të marra nga Këshillat Komunale greviste të SBASHK-ut dhe analizave të bëra nga ta dhe nga vet Këshilli Qendror Grevist ka konstatuar se edhe në llogaritjet që janë bërë sot dhe pagat që janë procesuar për të punësuarit në arsim ka shumë gabime në llogaritjen e përvojës së punës të mbi 90 përqind e të punësuarve ku iu mungojnë 7 vite të përvojës së punës si dhe nuk është bërë ndryshimi i pagesës për muajt janar,shkurt dhe mars të vitit 2015 ashtu siç shkruan ne Kontratën Kolektive dhe siç ishin deklaruar çdo herë edhe Kryeministri Mustafa edhe Ministrat Bajrami e Hoti se kurdo që të merret përvoja e punës do të merret në mënyrë retroaktive nga 1 janari i vitit 2015″, thuhet në komunikatën e SBASHK-ut.

“Për këto gabime të lëshuara edhe në këto lista te pagave të cilat u punuan dhe u procesuan sot deri në këtë moment që ne po lëshojmë këtë komunikatë nuk kemi informata as nga MASHT e as nga MF por as ndonjë prononcim publik pse kanë ndodhur këto gabime prandaj:Këshilli Qendror Grevist i përkrahur nga të gjitha Këshillat greviste Komunale dhe nga Këshilli grevist i Universitetit i njofton të gjithë punonjësit arsimor se greva e përgjithshme edhe nesër mbahet me të njëjtin orar sikurse edhe sot”, thuhet më tutje në komunikatë.

SBASHK-u fton Qeverinë që në afat optimal t’i përmbushin edhe këto lëshime që i kanë bërë në mënyrë që mos të humbet mësimi.