Sarajevë, bastiset për shtatë orë një portal lajmesh (Video)

Policia entitetit Republika Srpska e ka bastisur në Sarajevë zyrën e një portali të lajmeve, duke kërkuar informacione rreth asaj se si gazetarët e kanë incizuar një bisedë telefonike, e cila implikon për ryshfet zyrtarë nga partia serbe në pushtet.

Bota

29/12/2014 20:30

Faqja e internetit Klix.ba ka bërë të ditur se policia ju ka konfiskuar llaptopë, disqe të kompjuterëve, telefona mobilë, si dhe USB e CD të ndryshme.

Policia tha se bastisja është urdhëruar nga një gjykatë në Sarajevë.

Klix.ba ka postuar një bisedë telefonike që pretendon se është zëri i një zyrtari të lartë të Partisë Social-demokrate, i cili ka pranuar se ka paguar ryshfet tek dy ligjvënës në këmbim të mbështetjes së tyre.

Në këtë bastisje fjalën kryesore e pati Policia kriminale e entitetit serb të Bosnjës, pasi bëhej fjalë për incizimin e një zyrtari të lartë serb në Banjallukë.

Gjatë largimit nga hapësirat e portalit, një nga ata policë ka goditur dy fotoreporterë të këtij portali, njofton Dnevni Avaz.

Bastisja në Sarajevë ka zgjuar reagimin e grupeve për mbrojtjen e medieve. OSBE-ja e ka vlerësuar rastin si një ndërhyrje në të drejtat e gazetarëve të cilët raportojnë për interesa publike.