Sarajeva vajton lustruesin legjendar

Xha Misho, lustruesi i këpucëve, simboli i Sarajevës, emri i vërtetë i të cilit ishte Husein Hasan, një rom nga Kosova, ka vdekur në moshën 83 vjeçare. Sarajevasit i kanë bërë nderime figurës së tij.

Lajme

08/01/2014 10:43

Sarajevasit kanë shprehur nderimet e tyre për lustruesin legjendar të këpucëve i njohur si “xhaxhi”Misho, i cili vdiq në moshën 83 vjeçare. Ai kishte qenë lustrues këpucësh, ku ka punuar për më shumë se 60 vite në rrugët e Sarajevës, madje edhe në kohën e luftës në vitet 1992-1995.

Një karrige druri boshe, e mbuluar me trëndafila,  dhe me një fotografi të njeriut që u bë simbol i kryeqytetit të Bosnjës ,qe vendosur para një restauranti të fast-food, në lagjen kryesore të Sarajevës, e njohur si bulevardi Tito.

Dhjetëra persona bënë nderime në heshtje, përderisa disa të tjerë ndezën qirinj përpara një palë këpucëve të vendosura në trotuar.

 

“Emocionet i kapën sarajevasit pas vdekjes së tij që reflektojnë punën e tij më të mirë”, thotë arkitekti Kenan Husic.

Gjithmonë i veshur me një kostum si zotëri, me një bluzë të bardhë, me flokët e tij të krehura mirë nën kapele, mustaqet e thinjura të rruara me shumë kujdes dhe në fytyrën e tij gjithmonë ishte një buzëqeshje e madhe, “xhaxha” Misho nuk e lëshoi vendin e tij të punës edhe gjatë rrethimit dhe bombardimeve të përgjakshme.

Ai ishte një rom me prejardhje nga Kosova i cili u shpërngul në Bosnje pas Luftës së Dytë Botërore, dhe emri i tij i vërtetë ishte Husein Hasani, por ai mori pseudonimin nga trajneri i tij i boksit, i cili ishte një hungarez që e kishte shumë të vështirë që të shqiptonte emrin e tij.

Në moshën 21 vjeçare ai mori zanatin nga babai i tij dhe shumë shpejt u bë i famshëm dhe më i miri ndër lustruesit e këpucëve në Sarajevë.

Në vitet e fundit, ai ishte personi i fundit që mbante këtë traditë, e cila i ka rrënjët e saj në Ballkan, e trashëguar nga regjimi shumë shekullor i Otomanëve në këto rajone.

Albina Curkovic, një 78 vjeçare, infermiere e dalë në pension, tha se xhaxha Misho ishte “edhe një person sharmant dhe me fat por njëherësh edhe simboli i Sarajevës” gjatë viteve të luftës, i cili shumë vështirë e kishte të bindej që ta ndërronte vendin e tij të punës gjatë bombardimeve.

“Kur ai ishte atje, ne e dinim që edhe sikur qielli të binte natën, ai do të mbijetonte ditën tjetër”, për më shumë se 3 vite rrethim në Sarajevë, tha ajo.

 

Pavarësisht se kishte sasi të kufizuara të ushqimit dhe varfëria ishte në nivele të larta gjatë luftës, ai gjithmonë ushqente me ndonjë gjë qentë e rrugës në Sarajevë, tw cilwt i quante “shokët besnikw” nw rrugw.

Kryetari i Sarajevës, Ivo Komsic tha se “xhaxha Misho nuk ishte i famshëm vetëm si lustrues i këpucëve në rrugë por ishte edhe një figurë e pashlyeshme” e kryeqytetit.

Në vitin 2009, “xhaxha” Miso ishte shpërblyer me medaljen e meritave nga zyrtarët e qytetit dhe gjithashtu i ishte dhënë një banesë modeste si dhe një pension simbolik.

Në atë kohë, ai i kishte njoftuar kalimtarët për këtë lajm, duke goditur me brushat e tij kutinë metalike.

Por lotët i rrodhën kur ai kujtoi dashurinë e jetës së tij, Xhemilën, e cila vdiq para se ai ta merrte këtë mirënjohje.

“Tash kur dikush e vendos këmbën e tij në mbi këtë kuti metalike para meje, ata persona shpesh më pyesin se si ka mundësi që një legjendë e tillë të lustrojë këpucë ende”, tha ai në një intervistë të dhënë së fundmi.

“Por unë them se kjo punë është jeta ime dhe është në gjakun tim, dhe ju mund të më gjeni të vdekur mbi këtë karrige”, tha ai.

Falë personalitetit të tij të jashtëzakonshëm, Hasani shpesh është paraqitur nëpër filma dhe nëpër emisione televizive në Sarajevë.

Ai me shumë krenari mbante me vete shumë artikuj të shkruara për të dhe për “vallëzimin” e tij të famshëm me brusha, të cilën e bënte gjithnjë përpara se të lustronte këpucë.

“Kishte edhe shumë lustrues të tjerë të këpucëve nëpër këto rrugë kur unë fillova të punoja këtë punë dhe tashmë unë kam mbetur i vetmi, pse? Sepse unë kam qenë i guximshëm dhe njerëzit gjithmonë kanë qeshur me shakatë e mia”, tha ai në një dokumentar.