Sanksionohen 8 persona dhe 4 entitete ruse

Nga Brukseli vijnë raporte se Bashkimi Evropian është pajtuar që të shtojë sanksionet ndaj tetë individëve, përfshirë edhe biznesmenë të afërt me presidentin rus, Vlladimir Putin dhe katër entitete për shkak të krizës së Ukrainës.

Bota

29/07/2014 18:16

Si raporton REL, emrat pritet të bëhen publikë më 30 korrik, kur të publikohet edhe zhurnali mujor i BE-së.

Ambasadorët e 28 vendeve anëtare të BE-së janë takuar në Bruksel, ndërsa gjatë këtij takimi pritet që të aprovohen edhe sanksione të tjera që e kanë cak sektorin energjetik, financiar dhe atë të mbrojtjes së Rusisë.

Masat pritet të krijojnë kufizime për qasjen e bankave ruse në tregun evropian, apo marrëveshjet në sektorin e energjisë, si dhe vendosjen e një embargoje në mallrat ushtarake.

BE deri më tash ka vendosur sanksione ndaj 87 individëve dhe 20 entiteteve në Ukrainë dhe Rusi për shkak të përzierjes së tyre në okupimin e Ukrainës.