Sane debuton ndaj ish-skuadrës, Bayerni nis ndaj Schalke 04 misionin drejt titullit të 9-të rresht

Edicioni 2020-2021 i Bundesligës ngre siparin këtë të premte me një supersfidë. 

Sport

18/09/2020 10:41

Sot në mbrëmje Bayerni kampion në fuqi do të nisë misionin drejt titullit të 9-të radhazi me sfidën ndaj Schalke 04 në Allianz Arena në praninë e rreth 15 mijë shikuesve, pasi liga gjermane e futbollit me miratimin e qeverisë ka lejuar që në 6 javët e para të kampionatit, stadiumet të kenë tifozë në shkallë në masën 20% të kapacitetit.

Bundesliga ishte e para që rinisi futbollin sezonin e kaluar pas ndërprerjes prej pandemisë dhe bëhet e para që lejon një numër tifozësh në masën 20% në shkallët e stadiumit duke qenë një hap përpara ligave të tjera të mëdha, si La Liga, Premier League dhe Serie A.

Në fakt tifozët më herët në stadiume i kanë lejuar Franca dhe Holanda por në këto shtete nuk hynë në impiant më shumë se 5 mijë persona pavarësisht kapacitetit të impiantit. Pas suksesit të trefishtë sezonin e kaluar Bayerni i Flick nis një edicion të ri me dëshirën për të bërë sërish mirë dhe pse jo për të fituar gjithçka, trransmeton Ss.

Mesjavën e ardhshme bavarezët do të luajnë finalen e Superkupës së Evropës ndaj Sevillas, por për momentin vëmendja është e gjitha ndaj Schalkes. Edhe ky edicion do të ketë po një refren me ekipe si Dortmundi apo edhe Leipzig që do të bëjnë gjithçka për të ndalur hovin e Bayernit në rrugën drejt titullit të 9-të radhazi.

Sot do të jetë dita e debutimit të Leroy Sane në një ndeshje zyrtare me fanellën e kampionëve të Evropës dhe do ta bëjë këtë ndaj skuadrës që e bëri të njohur në futbollin e madh, pikërisht ndaj Schalkes. Bayern Munich-Schalke 04 ashtu si të gjithë sezonin e ri të Bundesligas.