Samiti i Berlinit: A do ta heqë taksën Haradinaj nëse i kërkojnë Merkel e Macron?

Më 29 prill në Berlin të Gjermanisë do të mbahet një takim i liderëve perëndimorë ku prezent nga Kosova do të jenë edhe presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Lajme

20/04/2019 14:31

Në këtë takim do të jetë i pranishëm edhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq.

Takimi i organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i Francës, Emanuel Macron ka për synim përmirësimin e raporteve në mes shteteve në Ballkanin Perëndimor, e me theks të veçantë atë Kosovë – Serbi, shkruan lajmi.net.

Në qendër të këtij dialogu sipas një përgjigje të qeverisë gjermane do të jetë dialogu Kosovë – Serbi dhe normalizimi i marrëdhënieve midis dy shteteve.

Gjithashtu, njohësit e çështjeve politike në Kosovë e kanë parë si mundësi të mirë për t’i dhënë një kahje ndryshe dialogut Kosovë – Serbi dhe si një angazhim aktiv të ‘Evropës së Vjetër’ karshi Ballkanit.

Dialogu Kosovë – Serbi tash e sa kohë është i bllokuar dhe kjo për shkak të taksës 100 për qind të vendosur nga Qeveria e Kosovës për mallrat që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Gjermania dhe Franca njëjtë si shumë shtete të fuqishme evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga qeveria e Kosovës heqjen e kësaj takse, gjë që nuk ka ndodhur.

Por sa mund të ndodh kjo gjë pas samitit të Berlinit?

Në një përgjigje për lajmi.net Donjeta Gashi zëdhënësja e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur se qëndrimi i kryeministrit Haradinaj është i qartë.

“Qëndrimi i kryeministrit është i qartë. Marrëveshja për tregti të lirë do të jetë pjesë e dialogut që përfundon me njohje reciproke në kufijtë ekzistues”, thuhet në përgjigjen e shkurtë të kryeministrisë.

Në anën tjetër, Vuçiq në një deklaratë për media para dy ditësh është shprehur se Serbia gjendet në situatë të vështirë në Samitin e Berlinit për shkak se do të kërkohet njohja e Kosovës.

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur se Samiti i Berlinit nuk do të sjell diçka të re dhe do të jetë një takim rutinë, duke shtuar se nuk do të ketë marrëveshje Kosovë – Serbi pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe.

Vlen të theksohet fakti se në Kosovë për vizitë tek kryeministri Haradinaj kanë qëndruar edhe dy nga këshilltarët kryesorë të kancelares gjermane Angela Merkel javë më parë.

Në të dy palët, Kosovë e Serbi nuk shihet optimizëm sa i përket arritjes së ndonjë marrëveshje eventuale ose rezultate me rëndësi nga Samiti i Berlinit. /Lajmi.net/