Samiti BE- Ballkan Perëndimor

Samiti ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor u mbajt në kryeqytetin e Kroacisë në Zagreb, me 06, Maj, 2020 nëpërmjet një video-konference dhe kjo për shkak të virusit pandemik COVID- 19.

Opinion

09/05/2020 11:27

Në këtë takim virtuoz morën pjesë krerët e shteteve ose qeveritë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian në njerën anë, dhe udhëheqësit e gjashtë vendeve partnere nga Ballkani Perëndimor, prej tyre Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Serbia, Republika e Maqedonisë së Veritu dhe Kosova në anën tjetër . Ky Samit u kryesua nga Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel. Po ashtu në këtë Samit morën pjesë edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviç, i cili njëherit është edhe kryesues aktual i Presidencës së Këshillit të Ministrave, Josep Berrell, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të jashtme dhe Politikën e Sigurisë, David Sassoli, President i Parlamentit Evropian, dhe përfaqësues nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Botërore, Banka Evropiane e Investimeve dhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal.

Për të dhënë një pasqyrë më të qartë rreth asaj se çfarë rezultatesh u nxorën nga ky takim apo cilat ishin ato pika për të cilat u dakorduan liderët u Bashkimit Evropian dhe udhëheqësit e gjashtë vendeve partnere të Ballkanit Perëndimor, këto do t’i ndajmë në pesë kategori:

Përspektiva Evropiane

Samiti i Zagrebit i vitit 2000, i Selanikut i vitit 2003 dhe ai i Sofjes i vitit 2018 ishin shkëndijat e para ku Bashkimi Evropian bëri të qartë Perspektivën Evropiane të Ballkanit Perëndimor. Ndërsa Samiti i mbajtur po ashtu në Zagreb, 06, Maj, 2020 e ripohon edhe njëherë që perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor është e pakontestueshme dhe ka mbështetje të plotë nga Bashkimit Evropian. Partnerët e Ballkanit Perëndimor janë të obliguar që të punojnë ngushtë me Bashkimin Evropian në mënyrë që të arrihen rezultatet e transformimit politik, ekonomik dhe shoqëror të rajonit. Partnerët e Ballkanit Perëndimor duhet të bëjnë hapa konkret për tejkalimin e konflikteve shumëvjeqare dhe t’i kthehen tryezave të dialogut dhe kështu të ndërtojnë marrëdhënie të mira fqinjësore. Vetëm duke e respektuar njëri-tjetrin do të ketë hapësirë për të ndërtuar paqen.

Pandemia e COVID- 19

Duke marrë parasysh që jemi në një kohë kur bota është duke vuajtur mjaftë shumë nga COVID- 19 si nga aspekti i shëndetit të njerëzve po ashtu edhe nga aspekti financiar, nevoja e unitetit dhe solidaritetit është mëse e domosdoshme për tejkalimin e sfidave. Meqenëse si Bashkimi Evropian po ashtu dhe Ballkani Perëndimor janë të përfshira nga koronavirusi, BE-ja mbështetë në mënyrë aktive përpjekjet për të luftuar shpërthimin e koronavirusit dhe ndikimin e tij në shoqëritë dhe ekonomitë vendore dhe të partnerëve të Ballkanit Perëndimor. Bashkimi Evropian ka ndarë një paketë financiare në vlerë prej mbi 3.3 miliardë euro në dobi të Ballkanit Perëndimor për t’i ofruar mbështjetje sektorit shëndetësor, një paketë asistencë Makro-Financiare në vlerë prej 750 milionë për të mbështetur partnerët për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike dhe një paketë në vlerë prej rreth 1.7 miliardë euro asistencë nga Banka evropiane e Investimeve. Bashkimi Evropian i ndau këto ndihma për Ballkanin Perëndimor mu në kohën më të nevojshme ndonjëherë. Më anë të kësaj Bashkimi Evropian dëshiron t’iu jap mesazh partnerëve të Ballkanit Perëndimor se e ardhmja e tyre është në familjen evropiane dhe bashkarisht do t’i tejkalojnë sfidat që mund të paraqesin rrezik të madh.

Bashkëpunimi Rajonal

Bashkimi Evropian mbështet plotësisht zotimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për bashkëpunim rajonal gjithëpërfshirës dhe forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë edhe me Shtetet Anëtare të BE-së. Bashkimi Evropian do të bëj përpjekje për ta rritur edhe më shumë këtë bashkëpunim sepse vetëm duke pasur marrëdhënie të mira fqinjësore vendet e Ballkanit Perëndimor mund ta njohin prosperitetin dhe zhvillimin e të gjitha fushave me rëndësi për qytetarët e tyre, konfliket kanë dëshmuar të kundërten e këtij properiteti. Bashkimi Evropian kërkon nga liderët e Ballkanit Perëndimor që të shfrytëzojnë në tërsi potencialin e Bashkëpunimit Rajonal për të lehtësuar rimëkëmbjen ekonomike pas krizës së COVID- 19 dhe atë duke përfshirë: 1) Thellimin e integrimit ekonomik rajonal dhe 2) Duke u bazuar në rregullat dhe standardet e Bashkimit Evropian për të afruar rajonin dhe kompanitë e tij më afër Tregut të Brendshëm të BE-së, nëpërmjet Zonës Ekonomike Rajonale (apo REA) që mund të kontrubuoj për ta bërë rajonin më tërheqës për investimet.

Rimëkëmbja socio-ekonomike

Udhëheqësit shkëmbyen mendime mbi fazën e re të bashkëpunimit të ngushtë për të trajtuar ndikimin e rëndësishëm socio-ekonomik të krizës COVID-19.

Si një hap tjetër, Komisioni Evropian është i ftuar të paraqesë një plan të fuqishëm ekonomik dhe investimesh për rajonin që synon të forcojë ekonomitë duke përmirësuar konkurrencën e tyre, për t’i lidhur ato më mirë brenda rajonit dhe BE-së.

Si rezultat i kësaj , Ballkanit Perëndimor i kërkohet që: 1) të lidhet i tëri dhe fuqishëm me tregun e vetëm të BE-së, 2) të krijoj vende pune dhe mundësi sipërmarrjeje, 3) të përmirësoj klimën e biznesit dhe investimeve, 4) të promovoj Axhendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe 5) të forcoj ekonominë dhe lidhjet dixhitale.

Sfidat e Sigurisë dhe Migracionit

Çështjet tjera që u diskutuan në këtë Samit ishin edhe sfidat e zakonshme të sigurisë. Ata bënë thirrje për të rritur bashkëpunimin për të penguar flukset e paligjshme të migracionit. Liderët e Bashkimit evropian u dakorduan të rrisin bashkëpunimin për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin, përfshirë financimin, radikalizmin dhe kthimin e luftetarëve të huaj. Ajo për çka u ra dakord është edhe se luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar përbënë faktorë thelbësor që kontribuon në transformimin e rajonit, i kontribuon stabilitetit dhe sigirisë rajonale. U adresua edhe nevoja për t’i dhënë përparësi diversifikimit të sigurisë së burimeve dhe rrugëve po ashtu.

Dhe në fund, ajo çka kërkuan liderët e Bashkimit Evropian nga partnerët e tyre të Ballkanit Perëndimor është përpjekja e tyre për të kontribuar në misionet e Bashkimit Evropian dhe të rreshtohen plotësisht me pozicionin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.

Në këtë takim ku po merrnin pjesë liderët e Bashkimit Evropian dhe partnerët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, u vëren edhe disa çështje të cilat nuk u përmenden, si psh: çështja që kishte të bënte më zgjerimin përkatësisht hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe Liberalizimi i Vizave për Kosovën. Ky Samit la të kuptoj që arsyeja kryesore e takimit ishte ndihma financiare që i duhej dhënën partnerëve të tyre për tu përballur sa më fuqishëm kundër pandemisë COVID- 19. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë punë ende për

të bërë, ato duhet ta forcojnë sundimin e ligjit në gjitha fushat shtetërore dhe të ndërmarrin hapa më konkret në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Liberalizimi i Vizave për Kosovën po ashtu nuk ishte agjendë diskutimi në këtë takim, dhe këtu po vërehet që qeveritë e shteteve anëtare nuk po kanë vullnet politik për ta shndërruar në realitet këtë çështje mjaftë të rëndësishm për qytetarët e Kosovës. Kosova mbetet ende me shpresë se ky liberalizim do të ndodhë një ditë dhe qytetarët e saj të udhëtojnë lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian.

Shkruar nga:

Minator Maloku

Njohës i proceseve integruese evropiane