Sami Lushtaku, i sëmurë për tu paraqitur në Prokurori, për “rastin e KEK-ut”

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili po mbahet në paraburgim si i dyshuar për krime lufte, nuk është paraqitur në Prokurori për tu intervistuar lidhur me një kontratë milionëshe që i nipi i tij kishte bërë me Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës.

Lajme

17/04/2014 20:48

Sipas një burimi të lajmi.net, kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku të enjten është dashur që nga Qendra Klinike Universitare në Prishtinë të dërgohet me polici deri në zyrat e Prokurorisë, pasi që javën e kaluar, ai kishte refuzuar ftesën e prokurorit për t’u intervistuar lidhur me tenderin gjashtë milionësh, të cilin e kishte fituar i nipi i tij, Lulzim Lushtaku.

“Sami Lushtaku nuk është dërguar në zyrat e Prokurorisë, pasi mjeku ka konstatuar se gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë, dhe se urdhri i prokurorit për t’u dërguar me polici për intervistim, edhe pse në përputhje me ligjin, kur i dyshuari refuzon ftesën, në rastin konkret nuk mund të zbatohet”, ka thënë një burim i lajmi.net nga Qendra Klinike Universitare në Prishtinë.      

Sami Lushtaku është njëri nga pjesëtarët e ish-UÇK-së, të akuzuar për krime të luftës, në rastin e njohur si “Grupi i Drenicës”. Për këtë rast ai është arrestuar vitin e kaluar dhe është dërguar në burgun e Dubravës, por si pasojë e gjendjes jo të mirë shëndetësore, me udhëzim të mjekut, shpeshherë ka qëndruar i shtrirë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

Prokuroria po dyshon se drejtori menaxhuese i KEK-ut, Arben Gjuka dhe disa zyrtarë të tjerë të kësaj kompanie, i janë nënshtruar presionit të Sami Lushtakut për t’i dhënë një tender mbi gjashtë milion euro kompanisë së Lulzim Lushtakut, “Security Code”, për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut.

Në cilësinë e të dyshuarit është intervistuar muaj më parë edhe Arben Gjukaj dhe disa zyrtarët tjerë të dyshuar nga menaxhmenti i KEK-ut, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Po ashtu është hetuar dhe pronari i kompanisë “Security Code”, Lulzim Lushtaku, ortaku i tij, si dhe partneri i tyre në këtë tender.

Pronarët e kompanisë “Security Code”, kohë më parë kishin deklaruar se Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku nuk i kishte ndihmuar për të fituar tenderë, porse ata kishte marrë punë publike për shkak të ofertave më të favorshme sesa konkurrentët tjerë.

Konsorciumi turk Çalik-Limak, që mori nën menaxhim më 8 maj të vitit të kaluar Rrjetin e Shpërndarjes dhe Furnizimit me Energji, nisi rishqyrtimin e shumë kontratave të trashëguara nga Korporata Energjetike e Kosovës.

Pronari i ri trashëgoi mbi 200 kontrata që KEK-u kishte lidhur me operatorë ekonomikë për shërbime të ndryshme, por rishqyrtimi i tyre po bëhet me qëllim, që siç është thënë, të përmirësimit të kushteve të punës dhe ofrimit të shërbimeve më të mira për konsumatorë.