Sami Kurteshi refuzon të flas për vizitën që ia kanë bërë ai dhe Molliqaj, Astrit Deharit

Që nga vdekja e ish aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari, janë dhënë raportime nga më të ndryshmet për vdekjen e tij, ndonëse ekspertiza mjekësore ende s’e ka dhënë fjalën e saj të fundit.

Lajme

10/11/2016 20:18

Po ashtu u tha se tashmë i ndjeri Astrit Dehari ishte vizituar disa ditë para se të ndërronte jetë nga sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, dhe ish-Avokati i Popullit, tash anëtari i VV-së, Sami Kurteshi.

Gjykatësi Vehbi Kashtanjeva ka mohuar të ketë lejuar vizita të tilla, përderisa këtë s’e ka komentuar askush nga Vetëvendosje.

Lajmi.net ka tentuar që të marr informata për këtë çështje nga anëtari i VV-së, Sami Kurteshi, por ky i fundit me arsyetimin se ishte në takim, e mbylli telefonin ende pa ia bërë pyetjen.

Ndërkohë, sot janë publikuar edhe me dokumente vizitat që Molliqaj dhe Kurteshi ia kishin bërë Astrit Deharit më 3 nëntor dhe ka zgjatur një orë.

Vizita e fundit kishte ndodhur dy ditë para se Dehari të vdiste në rrethana të pasqaruara. Atë sipas dokumentacionit të siguruar e kishin vizituar prindërit Avni e Xhemile Dehari, gruaja Arta Boshtraj dhe anëtari i Kryesisë së Lëvizjes “Vetëvendosje”, Sami Kurteshi.

Astrit Dehari ndërroi jetë pasditën e së shtunës, teksa gjendje në paraburgim si i dyshuar për sulmin ndaj Kuvendit./Lajmi.net/