Sami Hamiti mohon se pranoi dhuratë një “BMW X5” nga kryetari i FFK-së, thotë se Agim Ademi ia ofroi ta blinte një “Audi Q7”

Ish-kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Sami Hamiti, ka dhënë dëshmi të premten, në gjykimin që po zhvillohet ndaj kryetarit aktual të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi si dhe ndaj Muharrem Ramës, të cilët po akuzohen për ushtrim ndikimi dhe detyrim.

Lajme

24/05/2019 17:36

Ademi e Rama akuzohen se me qëllim të përfitim material, e kishin detyruar dhe kërcënuar të dëmtuarin Dritëro Kadolli, lidhur me pagesën e një veture të tipit “BMW X5”, në vlerë prej 30 mijë euro, e cila më pas pretendohej t’i dorëzohej kryesuesit të atëhershëm të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Sami Hamiti.

Pikërisht për këtë pikë të aktakuzës, Hamiti ka deklaruar se asnjëherë nuk kishte takuar të dëmtuarin Dritro Kadolli, e që as nga ai, e as nga të akuzuarit Ademi dhe Rama, nuk kishte pranuar ndonjë veturë.

Ai tha se gjatë vitit 2012, kishte punuar në Komunën e Prishtinës si kryesues i Kuvendit Komunal, e të akuzuarin Ademi, tha se e kishte njohur që nga para lufta, sepse kishin qenë anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Hamiti mohoi që kishte pranuar veturë “BMW X5” nga të akuzuarit, duke shtuar se ai kishte tentuar ta blinte një veturë të tipit “Audi Q7”, të cilin ia kishte sjell i akuzuari Ademi.

Sipas Hamitit, ai kishte shitur veturën e tij dhe kishte kërkuar të blinte një veturë më familjare me shtatë ulëse, e i akuzuari Ademi, sipas tij, i kishte propozuar atij veturën “Audi Q7”, mirëpo Hamiti tha se nuk i kishte e pëlqyer dhe kishte qenë me çmim të lartë, andaj siç ka thënë, edhe i kishte thënë Ademit se nuk dëshiron ta blejë.

“Unë një “Audi Q7” e kom provu, Agimi u ardh më ka marrë në shpi e unë kom vozitë me të deri në Batllavë për të parë se a më përshtatet, por më pas s’kam qenë i interesum me ble e përmes telefoni e kom njoftu Agimin se nuk do ta marrë. Me sa më kujtohet vetura ka kushtu 25 ose 26 mijë euro”, tha Hamiti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai shtoi se nuk e din se e kujt kishte qenë vetura “Audi Q7”, por tha se i kujtohet se kishte qenë pa regjistrim vendor, e për pronar të saj, nuk ishte interesuar sepse nuk e kishte blerë.

I pyetur nga anëtari i trupit gjykues Vesel Ismalji, se këtë veturë a ia kishte dhënë dhuratë i akuzuari Ademi, derisa Hamiti u përgjigj se çfarë do t’i interesonte çmimi i shtrenjtë nëse dikush do t’ia dhuronte veturën.

Hamiti tha se të dëmtuarin Kandolli se kishte takuar më parë, për të cilin tha se është mashtrues, sepse sipas tij, me prokurorin e EULEX-it, Paskal Person kishin bërë spektakël dhe e kishin arrestuar, e me të njëjtat prova më pas Hamiti tha se ishte liruar, e madje kishte marrë kompensim edhe nga shteti se ishte privuar nga liria.

Për pikën e aktakuzës në të cilën thuhet se të akuzuari Ademi dhe Rama kishin ushtruar ndikim që të bëhej ndërrimi i zonës së tokës së gjelbër në atë urbane, Hamiti tha se nuk kishte biseduar asnjëherë me askënd për këtë çështje.

Prokurorja Muerrushe Llugiqi e pyeti atë nëse Asambleja Komunale e Prishtinës e kishte shqyrtuar propozimin për fillimin dhe plotësimin e planit rregullator urban në lagjen “Sofalia”, Hamiti u përgjigj se ishte bërë ky plotësim.

“Është plotësim dhe ndryshim i planit rregullativ për lagjen e “Sofalisë”, “Arbërisë” e “Matit 1”, që kanë qenë të amandamentuara në vitin 2007, por pas pesë vitesh në Kuvende Komunale janë të obliguar të rishikojnë planin për to”, tha Hamiti.

Hamiti tha se destinimin e tokës së gjelbër në zonë urbane e kishte parë në gazetë se ishte bërë për një pjesë rrugës për Gërmi, në anën e djathtë, por që s’ka informata nëse kishte qenë e përfshirë edhe lagjja “Sofalia” në atë plan.

Paraprakisht në seancë pati debat mes mbrojtësve të të akuzuarve Ademi dhe Rama dhe prokurores Merrushe Llugiqi.

Kjo pasi që avokatët Ramiz Krasniqi dhe Qazim Qerimi, e quajtën sjellje jo korrekte që prokurori i rastit Feti Tunuzliu kishte propozuar dëshmitarin Sami Hamiti e kishte shkuar në pushim.

Krasniqi e quajti abuzim me detyrën, mungesën e prokurorit duke e cilësuar si ikje nga rasti.

Ndërsa, prokurorja Llugiqi tha se prokurori Tunuzliu është duke e shfrytëzuar të drejtën e tij për pushim, e më pas i njëjti do të dal në pension, e ajo si kolege e tij e ka për detyrë ta zëvendësojë.

Sipas Llugiqit nuk është kjo hera e parë e as e fundit që një prokuror zëvendëson një tjetër pasi që kjo gjë dihet.

Fjala përfundimtare për këtë rast nga gjykatësja Valbona Musliu- Selimaj u caktua më 1 korrik 2019 në orën 14:00.

Në seancën 24 prillit 2019 ishte paraparë të jepej fjala përfundimtare, mirëpo prokurori Feti Tunuzliu kishte propozuar që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohej Sami Hamiti, pasi sipas tij, ai ishte dëshmitari kyç në këtë çështje penale.

Këtë propozim e kishin kundërshtuar mbrojtësit e të akuzuarve Ademi dhe Rama, avokatët Qazim Qerimi dhe Ramiz Krasniqi.

Ndryshe, në seancën e 30 janarit 2019, dy të akuzuarit kanë shfrytëzuar të drejtën ligjore për tu mbrojtur në heshtje, duke thënë se mbesin pranë deklaratës që kishin dhënë te prokurori i EULEX-it, më 2 maj 2013.

Aktakuza ndaj Ramës dhe Ademit është ngritur me 14 janar 2014, në bashkëpunim të Prokurorisë Themelore të EULEX-it, me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Sipas pretendimeve të prokurorit të EULEX-it, Maarten Groothuizen dhe prokurorit Ilaz Beqiri në pikën e parë të aktakuzës, të pandehurit Ademi dhe Rama gjatë periudhës kohore 12  korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadollin, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 euro, apo një veturë të tipit “BMË X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.

Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës të pandehurit Ademi dhe Rama akuzohen për ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kishin kërkuar nga i dëmtuari Kadolli premtimin e përfitimit të pa drejtë, respektivisht shumën prej 30.000.00 euro apo veturën e tipit “BMË X5”, duke kërkuar në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e një personi zyrtar që në këtë rast është Kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Sami Hamiti, që të ndryshoj statusin e një ngastre toke nga “zonë e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.