Samaras: Greqia doli nga kriza

Kryeministri i Greqisë, Antonis Samaras ka thënë se shteti i tij ka dalë nga kriza.

Bota

05/10/2014 17:09

Ai për hapat e mëtejshëm për daljen e vendit nga kriza dhe vizionin e tij për Greqinë e epokës së pas memorandumit shtjelloi kryeministri grek, Samaras foli në ceremoninë për 40-vjetorin e krijimit të partisë konservatore greke ”Demokracia e re”, ndërkohë që nënvizoi se së shpejti vendi do t’i linte pas memorandumet.

“Japim garancinë se së shpejti Greqia, e vetme, do të mund me dinjitet të rregullojë punët e saj. Greqia do të ketë përkrah saj edhe Evropën, por edhe aleatin përtej Atlantikut. Ekonomia jonë mundet dhe do të gjejë së shpejti ritmet e zhvillimit ekonomik autonom”.

”Para dy vjetësh premtova dy gjëra, mosdaljen e vendit nga eurozona dhe nxjerrjen e tij nga kriza. E thamë dhe e bëmë, arritëm suficit primar, dolëm në tregje dhe tani, në fund të 2014-s do të dalim nga memorandumet. Vendi po rifiton kredibilitetin”, shtoi ai.

”Mirëpo, a po dalim nga memorandumi që të rikthehemi aty ku ishim, që të shpërndajmë përsëri para’ të marra hua? Jo. Po dalim për të krijuar një Greqi të re, të lirë, me meritokraci dhe dinjitoze, një Greqi për njerëzit e aftë dhe jo militantët e partive”, tha Samaras.

Më tej, kryeministri iu referua në veçanti rishikimit të kushtetutës duke thënë se deri në qershor 2016 do të kishte përfunduar faza e parë që do të finalizohej në parlamentin e ardhshëm, përcjell Ata.

”Në reforma do të përfshihet ndryshimi i mënyrës së zgjedhjes së presidentit të Republikës, që të mos mundet askush të bëjë më lojëra politike”, deklaroi kryeministri grek.

”Do të parashikohet krijimi i universiteteve joshtetërore, ndarje e mëtejshme e pushteteve, krijimi i Gjykatës Kushtetuese e tjerë”, theksoi Samaras, transmeton koha.net