Salih Mekaj vazhdon të jetë në arrest shtëpiak

Kryetari i deritashëm i Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj vazhdon të qëndrojë nën masën e arrestit shtëpiak ndonëse baza ligjore mbi të cilën është marrë ky vendim nga ana e Gjykatës Themelore është hedhur poshtë nga një kolegj i gjykatës së shkallës më të lartë.

Lajme

04/08/2015 08:49

Një kolegj i Gjykatës së Apelit, i përbërë nga tre anëtarë të Gjykatës Supreme të Kosovës, madje dy vendorë dhe një ndërkombëtar, të mërkurën e javës së kaluar e ka anuluar vendimin e datës 27 korrik, sipas të cilit Salih Mekajt dhe Vlora Goranit iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Ky kolegj ka konstatuar se vendimi për caktimin e arrestit shtëpiak përmban shkelje esenciale dhe si i tillë kolegji ka vendosur që lëndën ta kthejë në rivendosje.

Por deri në një vendim të ri, Mekaj dhe Gorani vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim. /Zëri