Sali Berisha nuk i ka as 60 mijë euro të kursyera
Top Channel e pyeti deputetin e PD-së, Sali Berisha nëse janë të vërteta akuzat e deputetit Tom Doshi dhe për këtë përgjigjja e tij ishte pozitive.
Lajme
Berisha beson se ka një skenar vrasjeje të organizuar nga kryeparlamentari Ilir Meta për ndarje pushteti mes tij dhe Ramës për ta bërë sa më të besueshëm. Sipas Berishës, është përfshirë këtu jo vetëm Tom Doshi, që ka patur një histori marrëdhëniesh miqësore me Edi Ramën dhe më vonë edhe me zotin Meta, por edhe një deputet i opozitës, Mëhill Fufi. Ky i fundit përfshihet në këtë histori, sepse në zgjedhjet e 2013, pati një shkëmbim zjarri, ku mbeti dikush i vrarë, dikush i plagosur në zonën elektorale të zotit Fufi dhe ishte i përfshirë edhe një i afërm i tij.
Top Channel: Pse duhej të përfshihej në këtë histori Agim Rama? Nga hiçi?
Sali Berisha: Atyre u duhej emri i Agim Ramës, sepse pas vrasjes, vrasjen do ia faturonin Sali Berishës. Duhet të kishte një sponsor. Të thonin që Sali Berisha ka sponsorizuar 600 mijë euro, Sali Berisha nuk ka 60 mijë euro në llogaritë e tij. Kjo nuk besohej askund. Meta ka marrë përgjigje. Nuk kam pse e pyes kunatin në këtë mes dhe ai as nuk duhet të merret me shpifje të botës së krimit. Meta ka thirrur familjarët, njerëz për t’u thënë se Sali Berisha donte të eliminonte ‘vëllanë tënd’. Dhe ka marrë përgjigje burrërore, siç duhet. Do të marrë edhe përgjigje ligjore, sepse kjo është një faqe tjetër e zezë e skenarit të një mafiozi në krye të Parlamentit.
Top Channel: Kaq i keq u bë Ilir Meta pas 23 qershorit dhe jo kaq kur ishte me ju në qeverisje?
Sali Berisha: Të jeni të bindur që me mua kryeministër, Meta s’mund të mendonte kurrë të cenonte një njeri. Kur u kap, atëherë shkoi në funksionet e tij në parti. Nuk jam Edi Rama, jam Sali Berisha.