Sahatqija e pakënaqur me përbërjen e Qeverisë

Një ndër objektivat qeverisës të kryeministrit të sapoemëruar, Isa Mustafa, të cilat i prezantoi ishte edhe avancimi i pozitës së gruas në shoqëri.

Lajme

09/12/2014 19:24

E këtë e kërkoi edhe ambasadorja amerikane e SHBA-ve në Kosovë Tracey Ann Jacobson, kur u nënshkrua marrëveshja e parë Thaçi-Mustafa, e cila theksoi decidivisht që të respektohet gjinia femërore dhe prania e saj në Qeveri.

Por, qeveria Mustafa është gati 100% maskuliste. Nga 21 pozita, vetëm dy janë ndarë për femrat, raporton KTV.

Kundër këtij diskriminimi gjinor, kanë reaguar fillimisht bashkëpartiaket e Mustafës. Teuta Sahatqija, e cila u përfol si ministre e ardhshme e Shëndetësisë, e që në momentet e fundit u zëvendësua me Imet Rrahmanin, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se pas krijimit të Kuvendit dhe qeverisë ka një degradim të rëndë të situatës gjinore.

Edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, po ashtu ka zgjedhur Facebookun për të shprehur pakënaqësinë e saj lidhur me përbërjen gjinore në kabinetin e ri. Por nuk ishin pakënaqësitë vetëm sa i përket aspektit gjinor. Të pakënaqur me ndarjen e “Tortës së Madhe” mbetën edhe shumë të tjerë, kryesisht anëtarë të LDK-së.

Vjosa Osmani votën kundër e arsyetoi me faktin se ajo qysh 4 vjet më parë ishte kundër bashkimit me PDK-në. Edhe deputetët Arben Gashi, Adem Saliahaj e Armend Zemaj pakënaqësinë e tyre e shprehën përmes votës, duke votuar kundër shefit të partisë. Ndërsa Anton Quni, bojkotoi seancën e kuvendit, ku u zgjodh qeveria e re, raporton KTV.