Sahatqija: Blloku e ka zgjidhjen për seancën e 2 tetorit

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Teuta Sahatqija, thotë se vendimi për marrëveshjen e Bllokut është votuar me shumicë në LDK.

Lajme

27/09/2014 21:48

Sipas saj, një diskutim i hapur si në LDK nuk ndodh në partitë tjera. Ajo thotë se Blloku ka skenarin për seancën e 2 tetorit derisa thekson se PDK e ka uzurpuar Kuvendin.

Teuta Sahatqija, deputete e LDK-së thotë se Blloku e ka zgjidhjen e daljes nga ngërçi në bazë të vendimit të Kushtetueses.

“Koalicioni ynë i ka numrat, do të respektoj vendimin e Gjykatës në ndërkohë presim që presidentja e cila prej javës së ardhshme do të jetë aty të përdorë autoritetin e saj dhe të jep zgjidhje. Është tepër e rëndësishme që me 2 tetor të hapet rruga e zgjidhjes pasi që Kosova dhe institucionet janë me të vërtetë duke pritur dhe duke pasur pengesa për shkak të kësaj”, tha Sahatqija për RTV21. 

Ajo thotë se në demokraci sundon shumica, shumicë që thotë se i takon Bllokut. 

Sahatqija thotë se kryesuesja e seancës Flora Brovina nuk është zëdhënëse e PDK-së dhe se e ka uzurpuar Kuvendin. 

“Thelbi i demokracisë është sundimi i shumicës dhe ne atë e kemi. Në anën tjetër më duhet të theksoj edhe uzurpimin e Kuvendit prej zonjës Brovina e cila në Kuvend nuk lejon kuvendim të kuvendarëve prandaj mendoj që është një uzurpim i fjalës së lirë, uzurpim i demokracisë, njëfarë diktature e 36 deputetëve karshi 84 deputetëve të tjerë”, tha Sahatqija.