Sadiku: Lutfi Haziri më njoftoi se Agon Musliu kishte shqetësime

Ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku po dëshmon para Komisionit hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë COVID-19 nga Qeveria.

Lajme

23/09/2020 12:14

Në këtë komision, Sadiku është pyetur edhe rreth rastit të të ndjerit Agon Musliu që i dha fund jetës gjatë qëndrimit në karantinë në Qendrën e Studentëve.

Sadiku tha se informatën zyrtare se i ndjeri Musliu kishte probleme shëndetësore e kishte marrë nga kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

“Më datën që ka ndodhur rasti ka qenë nëse nuk gabohem 3 maj ditë e diele ka qenë. Në ora 15:55 më ka thirr në telefon kryetari i Gjilanit më ka thënë: ‘Izet e keni një qytetar i cili ka ardhur dje dhe familjarët më kanë se është vendosur në karantinë nga Gjermania dhe më kanë thënë se ka shqetësime dhe probleme psikologjike në bazë të komunikimit që kanë me të’. I kam thënë ‘në rregull, dërgoni të dhënat e qytetarit dhe të lutem dërgojeni një email zyrtare në Qendrën Operative, por unë do i përcjell’. Dhe në orën 15:57 minuta kryetari mi ka dërguar: ‘Agon Musliu, konvikti numër 7, kati i 4-të, i lindur më 30.12.94 dje është kthyer nga Gjermania’. Unë në 15:59 pas dy minutash e kam thirr menaxherin, doktor Valdetin, e kam njoftuar me të njëjtin mesazh dhe i kam thënë po t’i dërgoj të dhënat që mi ka dërguar kryetari me copy-paste”, deklaroi Sadiku. /Lajmi.net/