Sabiha Shala e PDK-së: Peja do të qeveriset pa korrupsion

Emri i saj nuk është dëgjuar aq, megjithatë pejanët e njohin. Është Sabiha Shala, kandidate e PDK-së për kryetare të Pejës.

Lajme

26/08/2017 14:35

Në një intervistë të shkurtët për lajmi.net net, Shala thotë se Komuna e Pejës ka nevojë për qeverisje pa korrupsion, ka nevojë për rritje të buxhetit, punësim për të rinjtë, etj.

Lajmi.net. Çfarë i ofroni më ndryshe ose çfarë ju bën juve më ndryshe nga kandidatet tjerë? Pse duhet votuar juve qytetari i Pejës?

Sabiha Shala: Komuna e Pejës ka nevojë për një qeverisje pa korrupsion. Peja dikur është shquar si promotore e zhvillimit ekonomik për tërë Kosovën por fatkeqësisht qeveritë e deritanishme e kanë humbur këtë prioritet, të cilin si kryetare do t’ia rikthej këtë nam, duke e rritur buxhetin e komunës dhe duke sjell investitor të huaj.

Lajmi.net: Nga CV-ia juaj shihet qartë një bashkëpunim i ngushtë më organizatat ndërkombëtare, cilat janë raportet e bashkëpunimit te juaj me donator të jashtëm?

Sabiha Shala: Po, kam pas fatin të punoj në disa organizata te rëndësishme ndërkombëtare si DFID, FAO, Komision Evropian, organizata këto që kanë realizuar projekte të shumta zhvillimore.

Lajmi.net: Në qeverisjen tuaj a do të ketë Peja investime nga jashtë?

Sabiha Shala: Patjetër, fokusi im do të jetë i përqendruar në projektet e mëdha, projekte këto milionëshe. Projektet për mjedis (ujësjellës dhe kanalizim); qendra inovative që gjenerojnë punësim; projektet madhore në turizëm; etj.

Lajmi.net: Lidhur me qeverisjen aktuale të Pejës, cili është opinion juaj – duke marr parasysh këtu që edhe PDK-ja ka qenë në bashkëqeverisje?

Sabiha Shala: Marrë parasysh hapësirën që e kanë pasur nga udhëheqja në largim, drejtorët tanë kanë dhënë maksimumin e tyre ne realizimin e projekteve.

Lajmi.net: A ju bënë më të vështirë apo më të lehtë fakti që një kandidate për kryetare i premton të gjithë këto?

Sabiha Shala: Padyshim, të qenit kryetare femër e konsideroj përparësi. Sepse përvoja ime, angazhimi im i deritanishëm me ka bërë më të fortë përball sfidave të mëdha. Duhet cekur se praktikat kanë treguar se femrat nuk janë të korruptuara. Do mundohem më gjithë qenien time që të jem një model i qeverisjes së mirë dhe pa korrupsion. /Lajmi.net/