Ruzhdi Rexha jep dorëheqje nga PDK në Prizren

PDK’së në Prizren i ikë Nënkryetari Ruzhdi Rexha . thotë se është i pakënaqur me zhvillimet e e fundit në këtë komunë. Bashkë me letrën e dorëheqjes, ai ka dorëzuar edhe librezën e anëtarësisë.

Lajme

17/03/2014 16:30

Nënkryetari i Degës së PDK’së në Prizren, Ruzhdi rexha, ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet partiake në degë, për shkak të, siç është shprehur, zhvillimeve të fundit në këtë komunë.

“Unë, Ruzhdi rexha, PDK’në e shihja si një mundësi për arritjen e shumë aspiratave dhe qëllimeve që i kam pasur dhe që i ka pasur edhe qytetari i Prizrenit”.

“Por sot, më 17 mars 2014, pas shumë analizave të bëra nga unë, ju njoftoj se jap dorëheqje të parevokueshme si Anëtar i Këshillit Drejtues të Degës së PDK’së në Prizren, si Nënkryetar i Degës dhe si anëtar i PDK’së”.

“Arsyet janë të shumta për këtë vendim, por thjesht nuk mundem që të pajtohem me qëndrimin e subjektit politik ndaj ngjarjeve të fundit që ndodhën në qytetin e Prizrenit”, ka thënë Rexha në letrën në të cilën ka falënderuar anëtarësinë e PDK’së në Prizren për mbështetjen e deritanishme që i kanë dhënë.

Bashkë me letrën e dorëheqjes, ai ka dorëzuar edhe librezën e anëtarësisë.

Ruzhdi Rexha është vëllai i Ekrem Rexhës, i njohur si Komandant “Drini” i cili u vra në vitin 2000 në Prizren.

Ai kishte nisur aktivitetin politik në Lidhjen Demokratike të Dardanisë, ndërsa pas zgjedhjeve lokale të vitit 2009, aderoi në PDK.