Rutina e “Ambasadorit” serb

Dejan Pavicevic ka thënë se ka hyrë në një rutinë të punës, se për shkak të një komunikimi më të mirë ka filluar ta mësojë gjuhën shqipe dhe deri më tani nuk ka pasur ndonjë telashe për sigurinë e tij.

Lajme

22/10/2013 08:59

Zyrtari Ndërlidhës i Qeverisë së Serbisë në Prishtinë, Dejan Pavicevic ka thënë se nuk është diplomat, e as ambasador, sepse qëndrimi i Serbisë rreth statusit të Kosovës nuk ka ndryshuar dhe se Beogradi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

“Nuk jam diplomat, nuk jam ambasador. Qëndrimi i Republikës së Serbisë rreth statusit të Kosovës është shumë i qartë dhe puna ime nuk është kjo… Serbia nuk e ka njohur Kosovën dhe këtu nuk ka ndryshuar asgjë”, ka thënë Pavicevic në një intervistë për Al Jazeera Balkans.

Në pyetjen nëse roli i tij- duke pasur parasysh se është zyrtari i parë i Beogradit me shërbim në Prishtinë- mund të konsiderohet si historik, Pavicevic është shprehur se ka ardhur në Prishtinë për ta dhënë ndihmën e tij në planifikim dhe lehtësim të komunikimit.

“Unë jam këtu për ta kryer punë time, të mundohem të ndryshoj diçka dhe të veproj drejt. Nuk dëshiroj të mendoj për gjëra të mëdha, sepse atëherë njeriu fillon të tensionohet dhe të krijojë mendim negativ”, ka thënë ai.

Duke komentuar detyrat e tij të përditshme në Prishtinë, Pavicevic ka thënë se ka hyr ënë një rutinë të punës, se për shkak të një komunikimi më të mirë ka filluar ta mësojë gjuhën shqipe dhe deri më tani nuk ka pasur ndonjë telashe për sigurinë e tij.

“Unë jam në Prishtinë që nga 17 qershori dhe ngadalë gjithçka po fillon të bëhet një rutinë, një normalitet, në mënyrë që normalisht të shëtis në qendër të Prishtinës dhe pjesë tjera të Prishtinës, siç do të ishte gjithkund tjetër”, ka thënë ai.

“Tash për tash, them në parim, gjithçka është qetë. Unë, në përputhje me marrëveshjen e Brukselit, kam sigurim 24 orësh , por në të vërtetë, nuk kam pasur ndonjë incident që do të më kishet vëën në siklet”, ka thënë Pavicevic.