Rusia u thotë qytetarëve të saj t’i shmangin udhëtimet në Perëndim
Rusia tha të mërkurën se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë aq konfrontuese, saqë qytetarët rusë nuk duhet të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe disa vende të Bashkimit Evropian, meqë rrezikojnë të ndiqen nga autoritetet amerikane. Duke folur në një konferencë për gazetarët në Moskë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova,…
Bota
Rusia tha të mërkurën se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë aq konfrontuese, saqë qytetarët rusë nuk duhet të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe disa vende të Bashkimit Evropian, meqë rrezikojnë të ndiqen nga autoritetet amerikane.
Duke folur në një konferencë për gazetarët në Moskë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se marrëdhëniet me SHBA-në janë në prag të prishjes.
“Në kontekstin e konfrontimit në rritje… udhëtimet në Shtetet e Bashkuara – privatisht ose për nevoja zyrtare – bartin rreziqe serioze”, tha Zakharova, transmeton Reuters.
“Ne ju bëjmë thirrje që të vazhdoni të përmbaheni nga udhëtimet në Shtetet e Bashkuara dhe shtetet satelitore aleate të tyre – përfshirë, para së gjithash, Kanadanë dhe vendet e Bashkimit Evropian me disa përjashtime – gjatë këtyre festave”, tha ajo.
Diplomatët rusë dhe amerikanë thonë se marrëdhëniet mes dy vendeve janë më të këqija se në çdo kohë tjetër që nga kriza e raketave kubane, më 1962, për shkak të mosmarrëveshjeve rreth luftës në Ukrainë.
Ato arritën kulmin e krizës muajin e kaluar, kur SHBA-ja dhe Britania e Madhe i lejuan Ukrainës t’i përdorë raketat e tyre për të goditur në territorin rus.
Për rrjedhojë, Rusia uli pragun për përdorimin e armëve bërthamore.
Rusia dhe SHBA-ja akuzojnë vazhdimisht njëra-tjetrën për arrestimin e qytetarëve të tyre nën akuza të sajuara./REL