Rusia për dorëzimin e S-400: 99% është gati

Alexander Mikheyev, kreu i kompanisë shtetërore ruse për eksportin e armëve “Rosoboronexport”, ka bërë të ditur se të gjitha masat paraprake për dërgimin e sistemit të mbrojtjes raketore S-400 në Turqi janë të përfunduara në masën 99%.

Bota

26/06/2019 22:13

Në deklaratat për gazetarët në Moskë, Mikheyev tha se këtë vit e kanë ristrukturuar sërish sistemin e pagesave në eksportin e armëve.

Duke vënë në dukje se kanë nisur të përdorin njësitë monetare kombëtare në bërjen e pagesave, Mikheyev tha:

“E kemi lënë sistemin e pagesave SWIFT dhe përdorimin e dollarit, kemi nisur të përdorim monedhat kombëtare. Kjo është arsyeja që është shkurtuar afati i realizimit të kontratave. Këtë vit ne presim 13 miliardë dollarë të ardhura (nga eksporti i armëve)”.

Në vlerësimin që bëri për procesin e dorëzimit të sistemeve të mbrojtjes ajrore S-400 që ka blerë Turqia, Mikheyev tha:

“Për dorëzimin e parë ne jemi 99% gati. Dorëzimi do të fillojë në korrik. Për momentin po plotësojmë pjesët që kanë të bëjnë me logjistikën. I vlerësuar në aspektin e vështirësive në prodhim, dorëzimi i sistemeve do të realizohet në një kohë rekord”.

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) në deklaratën që kishte bërë të martën në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë që udhëheq kishte thënë se sistemet S-400 do të fillojnë të merren në dorëzim muajin e ardhshëm.

“Çështja e sistemeve mbrojtëse S-400 është një çështje që ka lidhje direkte me të drejtat tona sovrane dhe ne nuk do të bëjmë hap prapa në këtë drejtim”, kishte thënë Erdoan.

“Rosoboronexport” është një shoqëri e varur nga “Rosteh”, kompania shtetërore ruse me aktivitet kryesor në industrinë e mbrojtjes, dhe e vetmja që gëzon të drejtën të eksportojë armë dhe pajisje ushtarake në emër të shtetit rus.