Rusia nis ofensivën në Luhansk

Bota

21/05/2022 09:13

Rusia ka rritur përpjekjet për të marrë kontrollin e rajonit të Donbasit, i cili gjendet në lindje të Ukrainës, duke pretenduar fitore në betejën për fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol.

Forcat ruse kanë nisur edhe ofensivë ushtarake në provicën Luhansk.

Forcat e fundit ukrainase të bllokuara në Azovstal janë dorëzuar më 20 maj, ka thënë Ministria ruse e Mbrojtjes.

Ky njoftim ka ardhur pas sulmeve shkatërruese që kanë lënë gjithë Mariupolin nën rrënoja.

Ka shqetësime se rreth 20,000 njerëz kanë vdekur në këtë qytet.

“Ambientet e fabrikës, ku kanë qenë të fshehur militantët, janë nën kontroll të plotë të forcave të armatosura ruse”, ka thënë ministria përmes një deklarate.

Në të është thënë se 531 njerëz janë dorëzuar së fundi, duke e çuar në 2,439 numrin total të mbrojtësve ukrainas që kanë dalë nga ajo fabrikë.

Ukraina nuk ka konfirmuar diçka të tillë, mirëpo presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë më herët se mbrojtësit në Azovstal kanë marrë mesazh të qartë nga komanda ushtarake që mund të dalin jashtë dhe të ruajnë jetët e tyre.

Rusia po ashtu ka nisur atë që duket se është sulm i madh për të marrë kontrollin e provincës Luhansk.

“Ushtria ruse ka nisur një fushatë intensive shkatërrimi në qytezën Sievierodonetsk, numri i bombardimeve është dyfishuar, ka granatime edhe nëpër ndërtesa banimi”, ka thënë guvernatori i Luhanskut, Serhiy Hayday në kanalin e tij në Telegram.

Në orët e para të 21 majit, sirenat ajrore janë dëgjuar në një pjesë të madhe të Ukrainës, duke përfshirë kryeqytetin Kiev dhe rajonin e Odesas në jug.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës ka thënë se i është kundërpërgjigjur ofensivës në Sievierodonetsk.

Për Rusinë ka qenë e rëndësishme marrja e kontrollit të Mariupolit, qytet me dalje në Detin Azov, për të krijuar një korridor tokësor me Gadishullin e Krimesë, të cilin Moska e ka aneksuar më 2014, si dhe për t’iu mundësuar trupave ushtarake kalim të lehtë në betejën për të kontrolluar rajonin e Donbasit.

Zelensky ka thënë se Rusia duhet të detyrohet që të paguajë për secilën shtëpi, shkollë, spital dhe biznes të shkatërruar.

Ai u ka bërë thirrje partnerëve të Ukrainës që të konfiskojnë fondet dhe pronën ruse nën juridiksionin e tyre dhe që ato para më pas t’i përdorin për të krijuar një fond për kompensimin e atyre që janë duke vuajtur.

Rusia “do të ndjente peshën e vërtetë të secilës raketë dhe bombë që ka nisur ndaj nesh”, ka thënë Zelensky përmes një video-adresimi.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar më 24 shkurt, atë që e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur me sanksione të ashpra ndaj Rusisë, duke shënjestruar ekonominë e shtetit dhe oligarkët rusë.