Rusia mund ta ndalojë përdorimin e frazës “terrorist islamik”

Një ligjvënës rus ka propozuar ndalesën e shprehjeve të tilla si “terrorist islamik” dhe “militant islamik” në media. Ai ka thënë se të tilla shprehje japin pikëpamje të gabuar rreth fesë Islame dhe vendosin në rrezik besimtarët e thjeshtë. 

Lajme

13/01/2015 22:02

Shamsail Saraliyev, anëtar i partisë ‘Rusia e Bashkuar’ e presidentit Vlladimir Putin, në seancën e kësaj jave ngriti këtë iniciativë të tij në Komitetin për politikat informative të Dumës (Parlamentit rus), raporton e perditshmja ‘Izvestia’ dhe sipas kësaj gazete deputetët rusë e mbështetën idenë e tij.

Deputeti Saraliyev, në një interviste për gazetën ruse tha se koheve të fundit mass media është shumë e lirshme dhe shpeshherë përdor shprehje si “terrorizëm islamik”, “terrorist islamist”, “Xhihadist”, “Shehid” dhe shumë shprehje të këtij lloji.

“Këto shprehje i shtyjnë njerëzit drejt konkluzionit se feja muslimane dhe terrorizmi janë e njëjta gjë. Njerëzit e thjeshtë automatikisht fillojnë t’i lidhin myslimanët me banditë, vrasës dhe terroristë”, tha ai.

Sipas Saraliyev, ideja se feja Islame fton për agresion dhe ekstremizmëm është një gabim apo një gënjeshtër e pabazë.

“Ashtu siç ne nuk i quajmë të krishterët ‘fashistë’, ashtu ne duhet të ndalojmë edhe etiketimet ndaj myslimanëve kur ne përshkruajmë grupet radikale militante qa cilat pretendojnë të jenë pasues të Islamit”.

Edhe pse nuk ka kaluar ende në ligj, projekt-ligji bëri që disa organe të medias ta miratojnë këtë rregull mbi baza vullnetare. Saraliyev e quajti këtë një vetë-rregullim dhe një shembull se si të ndalohet ‘lidhja’ mes islamit dhe terrorizmit, duke shpresuar që ky shembull të funksionojë në të ardhmen.

Ndryshe, Rusia ka rreth 20 milionë myslimanë nga gjithsej 140 milionë banorë të saj.