Rusia frikëson Ukrainën

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka njoftuar se po zhvillon ushtrime ushtarake në pjesën jugore të Rusisë, derisa po intensifikohen luftimet në Ukrainën fqinje, ndërmjet forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë.

Bota

20/08/2014 12:22

Ministria Ruse e Mbrojtjes njoftoi se forcat ruse po i testojnë raketat kundërajrore me rreze të gjatë veprimi, në bazën ushtarake Ashuluk, në rajonin jugor, Astrakhan.

Kjo bazë ruse është 640 kilometra larg qytetit Luhansk, në pjesën lindore të Ukrainës, raporton RFE.

Raketat ruse e kanë rrezeveprimin deri në 400 kilometra.

Sipas autoriteteve ruse, gjatë këtij aktiviteti ushtarak do të bëhen afro 20 lansime të raketave tokë-ajër, ndërsa në ushtrime do të marrin pjesë afro 800 ushtarë.

Ndërkohë NATO ka vlerësuar se me pozicionimin e trupave afër kufirit dhe manovrat ushtarake, Rusia po përpiqet ta frikësoj Kievin zyrtar dhe t’i forcoj luftëtarët separatistë në Donetsk dhe Luhansk, të banuara me popullatë të përzier, por ku rebelët pro-rusë po luftojnë për shkëputje nga Ukraina.