Rusia duhet të ndalet!

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry edhe njëherë e paralajmëroi Rusinë se do të përballet me sanksione të tjera nëse ajo përpiqet të sabotojë zgjedhjet presidenciale në Ukrainë dhe nuk e ndalë mbështetjen e saj për separatistët në Ukrainën lindore.

Bota

07/05/2014 09:49

Ai tha se sanksionet deri më tani kanë pasur një ndikim të madh mbi ekonominë ruse në vështirësi, dhe se ky është vetëm fillimi i sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj ndaj Rusisë.

“Ne nuk do të rrimë duarkryq, ndërsa elementët rusë nxisin jostabilitetin”, tha Sekretari Kerry duke folur në Departamentin e Shtetit në Uashington pas takimit me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

\”Ukraina ka treguar vetëpërmbajtje të shquar. Ata janë angazhuar të lëvizin vendin e tyre përpara përmes veprimeve jo të dhunshme\”, tha Sekretari Kerry duke shprehur shqetësimin mbi përpjekjet e separatistëve pro-rusë për të \”organizuar një referendum të fshehtë për pavarësi\”.

Shefja e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme, Catherine Ashton i quajti zgjedhjet presidenciale të 25 majit në Ukrainë një hap shumë të rëndësishëm drejt stabilizimit.

Ajo tha se populli ukrainas do të vendosë se çfarë të ardhme do të ketë Ukraina.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka thënë se legjitimiteti i zgjedhjeve është në pikëpyetje për shkak të veprimeve të ushtrisë ukrainase kundër separatistëve pro-rusë në Ukrainën lindore.

Rusia po përballet me sanksione nga Përendemi që kur e aneksoi Krimenë në muajin mars, ndërkohë që po bën përpjekje duke nxitur minoritetin rus, të bëjë të njëjtën gjë edhe me rajonin Donetsk, në lindje të Ukrainës.